Filipçe: Prej sot jamë në izolim shtëpiak, Ministria pa ndërprerë vazhdon me punë

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe sapo publikoi në profilin e tij në Fejsbuk se do të qëndrojë në izolim shtëpiak, prejse te kryetari i komunës së Kumanovës me të cilin kishte kontakt dje është konfirmuar prania e koronavirusit. “Pas informacionit se kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski i cili dje mbajti mbledhje në shtabin e krizave të Kumanovës në të cilin mora pjesë edhe unë, është pozitiv me Kovid-19, prej sot do të jem në izolim shtëpiak. Në mbledhje i kam respektuar të gjitha protokollet për mbrojtje dhe kam mbajtur pajisje mbrojtëse gjithashtu sikur të pranishmit tjerë. I pres epidemiologët e Institutit për shëndet publik të cilët përveç te unë, do të bëjnë anketa epidemiologjike edhe me të gjithë funksionarët tjerë në Qeveri të cilët dje ishin të pranishëm në mbledhje. Deri në marrjen e vlerësimit epidemiologjik të rrezikut dhe drejtimeve për veprim të mëtutjeshëm qëndroj
në izolim” , shkruajti Filipçe.
Puna e Ministrisë së Shëndetësisë, siç informon Filipçe, vazhdon pa ndërprerë, ndërsa ai përmes platformave onlajn do të qëndrojë në komunikim të rregullt me Komisionin për sëmundje ngjitëse dhe me të gjithë të involvuarit tjerë në
proces. “Ne e patëm parasysh dhe përgatitemi për këtë skenar. Puna e Ministrisë së Shëndetësisë vazhdon të zhvillohet pa ndërprerë, ndërsa unë edhe nga izolimi qëndroj në komunikim të rregullt me komisionin për sëmundje ngjitëse dhe të
gjithë të tjerët që janë të involvuar në këtë proces dhe vazhdoj t’i koordinoj të gjitha proceset në ballafaqimin me krizën. Sikur edhe deri tani, Ministria e Shëndetësisë rregullisht dhe në kohë do të informojë për gjendjen me
koronavirusin në vend, ndërsa konferencat e mia për shtyp do t’i bëj përmes platformave onlajn të arritshme për këtë qëllim. Gjatë ditës do të vendoset mundësi teknike për këtë që të mos ketë ngecje në lidhje me informimin”,thotë Filipçe në status në Fejsbuk.