Filipçe: Për momentin gjendja nuk është kritike

Duke ftuar inspektorët të ashpërsojnë kontrollet, kjo me qëllim që të mbikëqyret zbatimi i protokolleve anti-Covid në objektet hotelerike, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur se gjendja për momentin nuk është kritike.

“Do të shohim çfarë rezultati do të japin masat. Kapacitetet spitalore ka të lira dhe për momentin situata nuk është kritike dhe në rrezik. Por, me siguri nuk duam të arrijmë aty”, tha Filipçe, transmeton TV21.

Ai ka ftuar inspektorët të realizojnë kontrolle më të shpeshta, pasi siç tha, protokollet janë, por të njëjtat duhet të zbatohen.

Nga ana tjetër, sot Komisioni për sëmundje ngjitëse deri te Qeveria ka propozuar kthimin e orës policore në territorin e vendit. Propozohet që ajo të fillojë nga ora 22:00 dhe të mbarojë në ora 05:00 të ditës së nesërme./TV21