Filipçe ka folur me ministrat e rajonit: Masa, eventualisht vetëm në kufij!

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se dje dhe sot ka folur me ministrat e shëndetësisë së rajonit.

Pas paraqitjes së variantit indian të koronavirusit, ai ka vlerësuar se masa restriktive mund të ketë vetëm në kufij.

“Për masat do të bisedohet deri në fund të kësaj jave. Bëhet fjalë, eventualisht të futen masa vetëm në kufij, jo diçka që do të thotë riorganizim i yni i kësaj që funksionon deri më tani si në institucione të hapur dhe objekte hotelerike me protokolle. Eventualisht vetëm në kufij për hyrje në shtetin tonë”, tha Filipçe, transmeton TV21.

A do të vlejë kjo për shtetasit e Maqedonisë kur do të kthehen nga vendet e huaja?

“Këtë do ta bisedojmë tani, për shkak se shumë qytetarë udhëtojnë. Dje dhe sot kemi biseduar me ministrat dhe në tërë rajonin situata epidemiologjike ishte e njëjtë, kurse të gjitha shtetet kanë masa të ndryshme. Greqia 10 muaj ishte e mbyllur në tërësi, Serbia ishte thuajse e hapur, Bullgaria me masa të ngjashme si e jona, Kosova dhe Shqipëria krejt ndryshe prej nesh, kurse ne jemi ngjashëm si Kroacia, me formë të ekuilibruar të masave dhe gjithandej valët ishin të njëjta. Është shumë e rëndësishme që edhe në këtë pjesë të kemi koordinim, por gjatë kësaj jave do të vendosim”, tha Filipçe.

Kjo vjen pasi në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 10 raste me variantin indian të koronavirusit.