Filipçe i dëgjoi sindikalistët, pas Vitit të Ri do të shpërblehen ata që nuk ishin në lista?!

Të punësuarit në shëndetësi, që nuk janë motra medicinale apo mjek, ndërsa kanë punuar me pacientë Kovid apo kanë pasur kontakt me persona të dyshuar, por nuk kanë marrë ndihmë financiare me shumë gjasa këtë ndihmë do ta marrin pas vitit të ri. Këtë sot e bëri të ditur Lubisha Karanfillovski, kryetar i Sindikatës së pavarur për shëndetësi, pas takimit të sotëm me ministrin, Venko Filipçe.

“Rreth shpërblimit për të punësuarit tjerë që kanë dhënë kontribut në shëndetësi në pjesën me përballjen me pandeminë e Kovid-19, mbetet të konfirmohet në periudhën e ardhshme. Mendoj se në njëfarë mënyre do të arrijmë ta realizojmë edhe shpërblimin e tillë. Me shumë gjasa menjëherë pas vitit të ri, shpresojmë, do të bëhen ata kalkulime dhe implikime financiare në pjesë për sigurimin e mjeteve për shpërblimin e tillë.” – u shpreh Ljubisha Karanfillovski nga Sindikata e pavarur për shëndetësi.

Përndryshe para dy ditëve deri te redaksioni i TV21 arritën ankesa nga të punësuarit në institucionet shëndetësore të cilët thonë se janë të zhgënjyer për shkak se nuk janë në grupin të cilit i takon ndihmë, edhe pse edhe ata kanë punuar me të infektuar dhe të dyshuar me Kovid-19.

Jemi shumë të zhgënjyer për shkak se çdoherë kemi plotësuar gjithçka që është kërkuar nga ne, jemi përgjigjur të gjithë detyrave që i kemi në mënyrë maksimale. Kështu ishte 9 muajt e kaluar. Shumë nga ne u sëmurën në punë, shumë nga ne ishim në karantinë dhe nuk mundeshim të punojmë, na zëvendësonin kolegët. Me të vërtetë jemi shumë pak dhe gjithë punën e bëjmë pa pushim. Ashtu ishte vazhdimisht dhe ende është. Kur na thanë se nuk jemi në asnjë masë, me të vërtetë ishim të zhgënjyer.” – tha një e punësuar në “8 Shtatori”.

Ministria e Shëndetësisë i pret listat e reja me korrigjime, diçka që e ka kërkuar nga drejtorët e institucioneve publike shëndetësore. Përndryshe nga 22 mijë punëtorë shëndetësorë në vend, vetëm 7 890 kanë marrë ndihmë të njëhershme financiare për trajtim të personave me Kovid-19. 14 mijë punëtorët tjerë kanë mbetur pa ndihmë, informojnë nga Sindikata e pavarur për shëndetësi.