FIFA po mendon për një tjetër afat kalimtar, pas krizës së koronavirusit

Përveç afatit kalimtar të verës dhe atij të dimrit, FIFA është duke menduar edhe për një tjetër, në mënyrë që klubet të përgatiten sa më mirë sezonin e ardhshëm që do të jetë i vështirë, shkaku i COVID 19

Duke parë emergjencën nga koronavirusi që ka ndryshuar planet e të gjithë sezonit futbollistik, FIFA po mendon seriozisht për një sesion të tretë merkatoje për sezonin e ardhshëm.

Ky sezon do të mbyllet në verë dhe për të mos prishur planet e klubeve që do të kenë shumë pak kohë për të përgatitur sezonin e ri, FIFA po mendon t’ua lehtësojë gjërat me një sesion të 3-të merkatoje përveç atij të verës dhe atij të dimrit.

Lajmin e ka bërë të ditur James Kitching drejtor i rregullores futbollistike të organizmit më të lartë të futbollit FIFA.

Nuk është zbuluar më shumë, por ekziston gjithashtu mundësia që afati kalimtar të qëndrojë i hapur nga korriku deri në fund të këtij viti, diçka që do t’iu ndihmonte shumë ekipeve të ndërtonin skuadrat.