Ekskluzive: LDK kërkon aprovimin e Këshillit të Përgjithshëm për koalicion me AAK dhe Nisma

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar aprovim nga Këshilli i Përgjithshëm i Partisë të marrë aprovim për një koalicion të mundshëm me partinë e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Njoftimi iu ka shkuar të gjithë anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, të cilët do të deklarohen nëse pajtohen apo jo.

Në këtë kërkesë janë shpjeguar i gjithë procesit se si ka ardhur deri te shkarkimi i Qeverisë.

“Më 25 mars të këtij viti, me iniciativë të LDK’së, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 82 vota për dhe 32 vota kundër, miratoi mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Nga Grupi Parlamentar i LDK’së, mocionin e votuan 24 deputetë, 3 votuan kundër dhe një deputet nuk mori pjesë në mbledhje”, thuhet në e-mailin e siguruar nga Gazeta Express.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e fundit me një deputet më shumë se LDK’ja. Këto dy parti lidhën koalicion, të cilin e pagëzuan si “Koalicioni i Shpresës”. Megjithëse negociatat për lidhjen VV-LDK zgjatën disa muaj, qeverisja zgjati vetëm  40 ditë. Kjo pasi VV s’pajtohej me qëndrimin e LDK’së për të hequr taksën pa vendosur reciprocitetin, s’pajtoheshin as për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, Albin Kurti, vendosi të shkarkonte  Ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili është edhe Nënkryetar i LDK’së me çka i dha edhe fund “koalicionit të shpresës”. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u shkarkua nga më shumë se 2/3 e votave të deputetëve të Parlamentit.