FIFA përjashton arbitrin Letexier nga Botërori

FIFA ka larguar nga pjesa e mbetur e Kupës së Botës arbitrin francez, François Letexier, i cili u vu në qendër të polemikave pas ndeshjes Egjipt–Argjentinë në fazën e 1/8-ave.

Megjithatë, vendimi nuk lidhet me kritikat ndaj gjykimit të tij, por me zbatimin e rregullores së komitetit të arbitrave të FIFA-s.

Sipas mediave, François Letexier nuk do të arbitrojë më në këtë Botëror, pasi Franca ka siguruar një vend në gjysmëfinale.

Rregullorja e FIFA-s parashikon që arbitrat e vendeve gjysmëfinaliste të përjashtohen automatikisht nga drejtimi i ndeshjeve të mbetura, për të garantuar paanshmërinë dhe integritetin e garës, si edhe për të shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi.

Për të njëjtën arsye janë përjashtuar edhe arbitri tjetër francez, Clément Turpin, si dhe gjyqtarët që përfaqësojnë tre kombëtaret e tjera gjysmëfinaliste, Spanjën, Argjentinën dhe Anglinë.

Ndërkohë, në dispozicion të FIFA-s mbetet arbitri francez, Jérôme Brisard. Fituesi i fundit i çmimit si arbitri më i mirë i ligës franceze, do të vazhdojë punën ekskluzivisht në dhomën e sistemit VAR.

Që nga fillimi i Kupës së Botës ai nuk ka drejtuar asnjë ndeshje si arbitër kryesor, por ka ushtruar vetëm rolin e arbitrit të videos.

Vendimi i FIFA-s pritet të zbusë debatet e krijuara pas sfidës Egjipt–Argjentinë, edhe pse organizata thekson se largimi i Letexier nuk është një masë disiplinore ndaj tij, por pasojë e zbatimit të rregullores së turneut.

Klan News