FIFA detyron Flamurtarin t’i paguaj borxhin Useinit

“Panorama Sport” mëson se një tjetër ish-lojtar e ka paditur klubin në FIFA dhe ka fituar të drejtën e tij për kontratën me Flamurtarin. Bëhet fjalë për mesfushorin Muhamed Useini, i cili aktualisht është lojtar i Gjilanit në Superligën e Kosovës. Useini ka qenë pjesë e kuqezinjve në vitet 2017-2019. E ndërsa ka pritur reagim nga klubi për pagat e prapambetura, kjo nuk ka ndodhur dhe shqiptari nga Maqedonia e Veriut i është drejtuar FIFA-s.

Burime të sigurta i kanë thënë dje gazetës se çështja është shqyrtuar javën e kaluar dhe pritet që tashmë të njoftohet klubi vlonjat për vendimin e formës së prerë. FIFA do të detyrojë Flamurtarin t’i paguajë detyrimin mesfushorit. Bëhet fjalë për një shumë prej 30 mijë eurosh. Deri më tani në klubin vlonjat nuk ka mbërritur ende njoftimi zyrtar, por mësohet se lojtari është njohur përmes avokatit të tij për procesin dhe gjithçka do të zyrtarizohet.