Fetel: E dinim që Mercedesi do të lintë një xhiro pas

Vijon momenti aspak i mirë i Ferrarit, që në garën e fundit në Hungari ishte shumë i avashtë në pistë. Aq sa Fetel e Leklerk u parakaluan një xhiro nga fituesi i garës, Luis Hamilton me “Mercedes”.

“Nuk jam i habitur nga dominimi i Mercedesit. E dinim që Mercedesi është më i shpejtë se ne që para se të niste gara. Madje e parashikuam edhe faktin se do ta na linte një xhiro pas, duke na parakaluar”, tha mes tjerash Fetel.

Sipas pilotit gjerman, Ferrari është në ritme të ulta.

“Pavarësisht garës së parë, që ishte pak anormale, mendoj se në fakt, ky është realiteti ynë. Nuk jemi në gjendje të duelojmë për fitoren këtë sezon”, tha Fetel, duke konfirmuar se skuadra italiane është në një krizë të madhe.