Fetai: Ahmeti po mashtron për shtetësinë siç bëri me “Monstrën” e “Lagjen e Trimave”

Udhëheqësi i Departamentit për Integrim Evropian pranë Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, i është përgjigjur deklaratave të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, i cili gjatë ditës të sotme tha se, për çështjen e shtetësisë është duke u konsultuar me ekspert evropian. Këto deklarata, Fetai i ka quajtur boshe dhe ia ka kujtuar Ahmetit se, mashtrime të ngjashme ka bërë edhe kur kishte deklaruar se ka ftuar FBI-në për tu angazhuar në rastet e montuara “Monstra” dhe “Lagja e Trimave”. “BDI qenka duke u konsulltuar me ekspertë evropianë për ligjin për shtetësinë. Njejtë siç e kanë ftuar FBI-në për Monstrën, Lagjën e Trimave, etj, pra mjegull dhe deklarata boshe pa mbulesë. Për gati 20 vite në pushtet, asnjëherë nuk i pamë të nisin as edhe një letër zyrtare për të zgjidhur bile edhe një rast që i prek shqiptarët, sepse janë bashkëfajtorë për secilin prej tyre”, ka shkruar në FB, Arben Fetai nga Aleanca për Shqiptarët. Nga ana tjetër, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i bëri thirrje sot opozitës shqiptare të mos e shndërrojë Ligjit për shtetësi në çështje patriotike. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve Ahmeti tha se për çështjen e shtetësisë po bisedohet me ekspertë evropian. “Të mos i shndërrojmë pikat e ndjeshme në çështje patriotike. Sa i takon nënshtetësisë ka edhe standarde botërore dhe evropiane dhe ne jemi kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe sigurisht që kjo temë është duke u diskutuar me specialist të bashkimit evropian dhe specialist maqedon dhe shqiptarë dhe assesi nuk duhet të partizohet as të politizohet çështja e nënshtetësisë”, shtoi Ahmeti. /Gazeta LAJM