–Duhet t’i dallojmë çështjet, Balancuesi është një çështje, 20%-shi në Kushtetutë është çështje tjetër, thotë zëvendëskryeministri nga radhët e VLEN, Arben Fetai, përcjell TV21. Fetai tha se në nivel lokal, 20%-shi duhet të mbetet, ndërsa theksoi se duhet të ndryshohet pjesa e 20%-shit në Kushtetutë që i referohet gjuhës shqipe.
“Ajo ka të bëjë me statusin zyrtar të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e dimë se 20%-shi i referohet gjuhës shqipe sepse nuk ka komunitet tjetër që arrin këtë shkallë në kuadër të regjistrimit të popullsisë…në nivel qendror së paku, ndërsa në nivelin lokal e dimë se 20%-shi duhet të ngelet në fuqi, për sa i përket për shembull pakicës turke në disa komuna të caktuara. Pra ne e kemi thënë në vazhdimësi, jemi zotuar në vazhdimësi si ASH, si koalicion VLEN për heqjen e 20% për sa i përket gjuhës shqipe në Kushtetutë dhe besoj se në momentin e parë që hapet Kushtetuta për t’i bërë ndryshimet e nevojshme për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit, do të bëjmë përpjekje maksimale që edhe çështja e definimit 20% të gjuhës shqipe në Kushtetutë të rregullohet më në fund”, theksoi mes tjerash Fetai./tv21.tv