Festivali i Kanës tregohet i ashpër me delegacionin rus, ua ndalon pjesëmarrjen edhe atyre që kanë lidhje me Rusinë

Festivali i filmit në Kanë ka marrë një qëndrim për luftën në Ukrainë dhe do të ndalojë delegacionin rus në edicionin e tij të 75-të që do të mbahet në maj të këtij viti.

“Ndërsa bota është goditur nga një krizë e rëndë në të cilën një pjesë e Evropës gjendet në një gjendje lufte, Festivali i Kanë dëshiron të japë të gjithë mbështetjen e tij për popullin e Ukrainës dhe të gjithë ata që janë në territorin e saj”, thuhet në një deklaratë të lëshuar të martën (1 mars).

“Sado modeste që të jetë, ne i bashkojmë zërat tanë me ata që kundërshtojnë këtë situatë të papranueshme dhe denoncojmë qëndrimin e Rusisë dhe liderëve të saj. Gjatë këtij dimri të 2022 Festivali i Kanës ka hyrë në fazën përgatitore. Nëse lufta sulmuese nuk përfundon në kushte që do të kënaqin popullin ukrainas, është vendosur që ne nuk do të mirëpresim delegacionet zyrtare ruse dhe as nuk do të pranojmë praninë e askujt të lidhur me qeverinë ruse”, thuhet tutje në deklaratë.

Ndërsa delegacionet ruse janë të ndaluara, festivali ka lënë të kuptohet se kineastët individualë mund të jenë ende të mirëpritur në festival, megjithatë, është ende e paqartë nëse filmat e tyre do të përzgjidhen për konkurrim apo diku tjetër në festival, shkruan Variety.

Festivali i Kanës tha se vlerësoi guximin e të gjithë atyre në Rusi që po rrezikojnë të protestojnë kundër agresionit dhe pushtimit të Ukrainës, duke vënë në dukje se do t’u shërbejë gjithmonë artistëve dhe profesionistëve të industrisë që ngrenë zërin e tyre për të denoncuar dhunën, represionin dhe padrejtësitë. qëllimi kryesor për të mbrojtur paqen dhe lirinë.

Vitet e fundit, festivali francez ka kthyer në qendër të vëmendjes një brez të ri kineastësh rus të angazhuar politikisht si Kirill Serebrennikov, dy filmat e fundit e të cilit, “Petrov’s Flu” dhe “Leto”, kanë konkurruar në festival.

Serebrennikov, i cili është ende zyrtarisht nën një ndalim udhëtimi prej tre vitesh dhe u akuzua për përvetësim nga qeveria ruse, pritet të kthehet në konkursin e Kanës këtë vit me “Tchaikovsku’s Wife”.