Festa e 28 Nëntorit, në RMV atmosferë e zymtë për shkak të tragjedisë

Në muralin e sheshit Skenderbeu në Shkup aty ku janë paraparë të zhvillohen aktivitete kulturore me këngë, valle e recital, në vend të tyre janë vendosur buqeta lulesh për nder të viktimave që humbën jetën në Bullgari. Shoqëritë kulturore artistike, ansamblet dhe të gjitha shkollat i kanë ndërprerë aktivitetet e festës së 28 Nëntorit dhe këtë ditë e kanë shndërruar në ditë zie.

“Nuk ka vend kënga dhe vallja në këto momente dhimbje. Familjet akoma nuk i kanë marrë kufomat e viktimave. Në si komb kemi dhimbje të madhe të gjithë dhe e bashkëndjemë me familjarët e të humburve këtë. Të gjithë me nga një lule në dorë shprehim ngushëllime dhe duam t’ju themi familjeve se dhimbjen tuaj e ndjem me ju.”, tha Shkodran Tolaj, drejtues i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve.

“Nuk ka atmosferë, është e zymtë gjithçka. Unë jam vetë profesoreshë e muzikës dhe i kemi anuluar aktivitetet me nxënësit. Nuk kam publikuar asgjë në facebook sepse bashkëndjejë dhimbjen me familjet e viktimave. As fitoret e as sukseset nuk i kemi ndarë këtë vit, siç kemi bërë çdo vit sepse duam të solidarizohemi.”, tha Ariana Grubi, profesoreshë e muzikës.

“Ndjejmë një dhimbje të madhe sidomos në këtë ditë të madhe të kombit tonë në festën e flamurit. Janë anuluar të gjitha aktivitetet artistët solidarizohen me familjet sepse viktimat ende nuk janë varrosur dhe familjet i presin dhe organizuam të sjellim lule që ta ndajmë bashkarisht dhimbjen dhe tua qetësojm sado pak shpirtin familjarve.”, tha Blerim Grubi, profesor i muzikës.

Me këtë rast drejtuesi i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Shkodran Tolaj tha se: “Sa më e madhe është dhimbja aq më të bashkuar janë shqiptaret.”