Ferguson tregoi sesi Totti ia kishte bërë me dije atij…

Sir Alex Ferguson e ka pranuar se kishte bërë përpjekje për ta blerë Francesco Tottin në kohë sa ishte trajner i Manchester Unitedit, por legjenda e Romës kishte refuzuar ta braktiste klubin e vetëm që e ka përfaqësuar në karrierën e tij.

Totti është lojtari më i madh në historinë e Romës, klubin që e përfaqësoi nga viti 1992 deri në vitin 2017 dhe për të cilin i luajti 619 ndeshje, duke i shënuar 250 gola dhe duke e fituar titullin e ligës një herë dhe kupën e Italisë dy herë.

Totti ka mundur të rreshtohej në të kuqe për Unitedin gjatë karrierës së tij të bujshme, sikur ta pranonte ofertën e Fergusonit.

Duke folur për Gazzetta dello Sport para takimi gjysmëfinal mes Unitedit dhe Romës në Ligën e Evropës, Ferguson tregoi sesi Totti ia kishte bërë me dije atij shumë vjet më parë se nuk do ta linte Romën për asgjë.

“Neve na pëlqente ai dhe donim ta përfshinim në planet tona, por kur e shprehëm interesim tonë, na u bë menjëherë e qartë se Totti nuk donte ta linte Romën”, tha Ferguson.

“Ai ishte thellësisht i lidhur me qytetit e vet. CV-ja e tij e thotë qartë. Totti e ka veshur vetëm fanellën e Romës gjatë gjithë karrierës së vet”, shtoi ai.