Fatmire Isaki e PDSH-së në hapjen e konsullatës kosovare në Strugë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike Shqiptare, njëherit zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Fatmire Isaki dje mori pjesë në ceremoninë e hapjes solemne të Konsulatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës me seli në Strugë.

Zëvendësministrja Isaki ka përshëndetur hapjen solemne të Konsulatës së Përgjithshme të Kosovës në Strugë, e cila sipas juridiksionit të saj do të kontribuojë për intensifikimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale në mes dy shteteve.

“Gëzohemi për hapjen e Konsulatës së Përgjithshme të Kosovës mike në Strugë, si hap i rëndësishëm në dobi të këtij rajoni dhe më gjerë, për të dyja shtetet. Por, jo më pak e rëndësishme edhe për shkak ndikimit që Konsulata e Përgjithshme do të ketë mbi bashkëpunimin në fushat si kultura, turizmi dhe ekonomia”, theksoi zv/ministrja Isaki.

Në bisedën me Konsullin Gjeneral Agim Krasniqi, u konfirmua përkushtimi në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore, si kontribut i përbashkët drejt stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit dhe perspektivës së saj euroatlantike.