Fatime Fetai e pakënaqur: Pse iku Gruevski dhe i la fëmijët e tij? Nuk mund të jetë rrethanë lehtësuese!

Prokurorja Fatime Fetai është e pakënaqur nga dënimi prej një viti e gjysëm për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, lidhur me rastin “Dhuna në qendër”. Për këtë arsye, ajo ka dorëzuar ankesë deri te Gjykata Penale në Shkup.
Në ankesën e parashtruar, Fetai para së gjithash paralajmëron se me një dënim aq të ulët për “ngjarje që e turpëroi shtetin”, gjykata mundëson ajo të vjetrohet më shpejtë.
Sipas ligjit, zbatimi i këtij sanksioni vjetrohet gjashtë vite pasi të bëhet e plotfuqishme, transmeton gazeta Lajm. Prandaj Fetai konstaton se në bazë të sjelljes së deritanishme të Nikolla Gruevskit i cili dy vite e tepër është në arrati, “kjo nuk do të jetë ndonjë vështirësi e veçantë”.
Prokurorja kërkon dënim maksimal me burg të Gruevskit për nxitje të dhunës në komunën Qendër, kurse për Mile Janakievskin dhe tre të tjerët të dënuar me kusht në këtë rast, kërkon masën e burgut efektiv.
Gjatë shqiptimit të dënimit për këtë proces maratonik gjyqësor, gjykatësi Dushan Josifov, si masë lehtësuese për dënimin e ulët për Gruevskin, ka përmendur se ai është prind i dy fëmijëve të moshës së mitur.
Në ankesën e parashtruar, Fetai pyet nëse është ashtu, pse Gruevski i ka lënë dy fëmijët e moshës së mitur dhe është arratisur dhe si është e mundur që gjykata e shkallës së parë këtë ta vlerësojë si rrethanë lehtësuese?
“Akti i tij, akt i personit që iku dhe i la fëmijët e vetë, e minimizon, madje tërësisht e neutralizon rrethanën që Gjykata e ka gjetur dhe e vlerëson si lehtësuese-se është baba i dy fëmijëve”, thekson Fetai.