Fati i një populli nuk ndërtohet përmes dilemave politike

Arbër Çeliku

Gjenerata ime pluralizmin politik e përjetoi në një klimë të bashkëkohësisë me aktivitete të ngjeshura politike-shoqërore, që fillimisht çuan në ngritjen dhe avancimin radikal të çështjes kombëtare shqiptare në Maqedoni, por që, sidomos, në vitet e fundit, po rrokullisemi aq shpejt teposhtë, sa e kemi gjetur veten në mesin e një ambienti politikisht të trazuar, komunikues dhe dinamik-shoqëror, porse edhe intelektualisht provokues dhe difuz, gjë e cila domosdoshmërisht të çon të mendosh me vete: “Çfarë duhet bërë? Çka i ofron ky vend fëmijës tim? Deri kur ne shqiptarët do të jemi peng i politikave të gabuara?” dhe monologu me veten nuk mbaron kurrë, duke bërë pyetje dhe marrë përgjigje pambarim.
Dua të them, se ne, si kurrë më parë, po përballemi me një ambivalencë të theksuar politike-shoqërore, sa jemi tërësisht të çorientuar në një hapësirë, e cila sa vjen e bëhet më abstrakte.
Shumica e shqiptarëve të RMV-së, të cilët janë kthjelluar dhe kanë dalë përtej orbitës së interesit personal, ndonëse tepër skeptikë, shpresën e shohin te koalicionimi i partive opozitare në zgjedhjet e 12 prillit, ose më saktë thënë, në krijimin e një FRONTI OPOZITAR GJITHPËRFSHIRËS (përveç tri partive politike ASH, ALTERNATIVA dhe BESA edhe te një pjesë të komunitetit akademik dhe shoqërisë civile), duke dhënë alarmin se një koalicion i tillë është i patjetërsueshëm, pasi që në horizont po konturohet një mjegullnajë e errët e së ardhmes kombëtare në RMV.
Nga njëra anë sulmi sa vjen e po bëhet më i padurueshëm si nga blloku radikal ashtu edhe nga ai i moderuar maqedonas. VMRO-ja në parim nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj ultranacionaliste, për ata ka vetëm shtet njëetnik, që nënkupton se shqiptarët janë qytetarë të rendit të dytë dhe gjuha shqipe duhet të ketë vetëm përdorim katundesh dhe fushash. LSDM-ja, në parim vjen më e moderuar, por që kamuflon dukshëm me konceptin qytetar, që në thelb nuk është shumë i ndryshëm nga ai i VMRO-së. Ajo shkon edhe më thellë, duke dashur që me metoda të moderuara të depërtojë edhe te votuesit shqiptarë, por që, të paktën në këto 3 vjet qeverisjeje, e dëshmoi se nuk bëri asgjë për shqiptarët.
BDI-ja, pavarësisht rrudhjes evidente dhe eleminimit përfundimtar të krahut të luftës (në Kongresin e sotëm nuk jehoi aspak salla UÇK, UÇK), ka arritur të mbajë një strukturë bërthamë votuesish, në sajë të të qenët të saj të vazhdueshëm në pushtet, duke luajtur rolin e punëdhënësit për shumë të rinj dhe të reja. Por, një gjë BDI-ja nuk do të mund ta arrijë kurrë, reformimin e saj të brendshëm, sepse në rrjedhë të kohës lidershipi i saj i la të fuqizohen strukturat e nëntokës, të cilat edhe për një kohë të gjatë do ta mbajnë peng këtë parti. Avancimi i çështjes kombëtare me këtë parti është një “mission impossible”, sepse ajo më nuk është vetvetja, për më tepër, për një kohë të gjatë shantazhohet nga partitë maqedonase dhe është delegjitimuar nga faktori ndërkombëtar.
Partitë opozitare tonat ose janë në amulli ose në delirium, por asnjëri pozicion nuk është i përshtatshëm për ato në këto situata kritike. Pa dashur të hyj në thathethemet që qarkullojnë brenda ditës, liderët e tyre duhet ta kuptojnë dhe t’ua përcjellin votuesve të tyre se garimi të vetëm në zgjedhjet e 12 prillit do të jetë vdekjeprurës për ata, por edhe për popullin shqiptar në RMV. Beteja se kush do të mbytet i fundit në mesin e oqeanit, nuk sjell asnjë kënaqësi, kurse inatet e së shkuarës nuk duhet të kthehen në makth për ndërtimin e së ardhmes. Po ashtu, koalicionimi parazgjedhor, siç po shpërfaqet në horizont, me LSDM-në, do të ketë një “efekt domino” dhe, çdonjëra prej partive opozitare, “në vend që të vendojë vetulla, do të nxjerrë sytë”. Është çështje tjetër koalicionimi paszgjedhor, kur do t’i kenë numrat dhe do t’i betonojnë qëndrimet e tyre në të mirë të çështjes kombëtare në RMV, pavarësisht se për cilën parti maqedonase do të bëhet fjalë.
Populli tashmë e ka kuptuar se zgjedhjet dhe votat nuk paraqesin vetëm një spektër preferencash ekzistuese, por edhe gjykime mbi programet dhe njerëzit, që janë në dispozicion. Fati politik i popullit shqiptar në RMV, në radhë të parë, varet nga pikëpamja dhe ndjeshmëria normative, nga guximi dhe spektri i ideve, por veçanërisht nga kapaciteti udhëheqës i partive politike, si dhe nga aftësia perceptuese dhe vepruese e përfaqësusve të denjë nga komuniteti akademik dhe shoqëria civile, të cilët e kanë obligim moral dhe kombëtar të vihen në ballë të proceseve, me synimin fisnik që çështja kombëtare e shqiptarëve në RMV të mos anashkalohet nga askush dhe të dëshmojmë se pa ne ky shtet nuk ka asnjë perspektivë rajonale dhe evropiane.