Familjet ruse telefonojnë në Ukrainë: A i kemi djemtë gjallë?

Tashmë që lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 13-të të saj, familjet ruse të dëshpëruara po i drejtohen linjës telefonike ukrainase në kërkim të informacioneve për ushtarët e humbur.

“Më falni që ju shqetësova, po ju telefonoj në lidhje me vëllain tim.”

“A keni ndonjë informacion për burrin tim?”

“Përshëndetje linjë telefonike, a është ky vendi ku mund të zbuloni nëse një person është gjallë?”

Këto janë pjesë nga regjistrimet audio të bëra në një linjë telefonike të drejtuar nga qeveria ukrainase. Nënat dhe baballarët, gratë, vëllezërit e motrat dhe të tjerët  të dëshpëruar janë të angazhuar në kërkim të të dhënave për të dashurit e tyre ndërsa lufta e Rusisë me Ukrainën po vijon.

Në regjistrimet e ndara ekskluzivisht me CNN nga zyrtarët ukrainas që operojnë linjën telefonike, dëshpërimi dhe pasiguria në zërat e telefonuesve hedhin dritë mbi atë se sa fort Moska po i kontrollon komunikimet rreth luftës.

Regjistrimet tregojnë se shumë ushtarë rusë dukej se nuk e dinin se cilat ishin planet e tyre ose pse po dislokoheshin, dhe përforcojnë raportet se ushtarëve rusë u mohohej komunikimi me familjet e tyre.

Videot janë shfaqur në internet që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, duke treguar civilët dhe ushtarët ukrainas që lejojnë ushtarët rusë të telefonojnë në shtëpi dhe të flasin me prindërit e tyre.

Linja telefonike, e quajtur “Kthehu gjallë nga Ukraina”, u krijua nga Ministria e Brendshme e Ukrainës, e cila ka pranuar se iniciativa është një mjet humanitar, CCN.