Familjarët e viktimave të Koçanit marshuan sërish duke kërkuar drejtësi

Familjarët e viktimave të tragjedisë së Koçanit marshuan sot për herë të 35-të, duke kërkuar drejtësi për fëmijët dhe të afërmit e tyre që humbën jetën në diskotekën “Pulse” në mars të këtij viti. Ata theksuan se dëshira e vetme për këtë fundvit është që drejtësia për këtë rast të vihet në vend.

Aleksandar Naunov, babai i një vajze 18-vjeçare që humbi jetën në tragjedi, dërgoi një mesazh emocional, duke shprehur dhimbjen për humbjen e vajzës së tij dhe duke kërkuar përgjegjësi për, siç u shpreh ai, dështimet sistemike që çuan në këtë ngjarje tragjike.

Familjarët ritheksuan se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, derisa rasti të marrë një zgjidhje të plotë ligjore.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet të hënën, më 29 dhjetor, ku do të vijojë marrja në pyetje e dëshmitarëve.