Familja e Almir Aliut drejtësinë do ta kërkojë në Gjykatën e Strazburgut!

Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut në Strazburg është adresa ku familja Aliu nga Kumanova do ta kërkojë drejtësinë për vrasjen e djalit të tyre 4 vjeç, Almirit. Pala mbrojtëse e familjes ka përgatitur dy lëndë për të vërtetuar se nuk është ndarë drejtësia në këtë proces gjyqësor nga Gjykata e Themelore e Kumanovës. Avokati Ibraim Bajrami tha se lënda e parë do jetë për nënën e Almirit si palë e dëmtuar dhe e dyta për babanë dhe dy të afërmit si palë të akuzuara, të cilët janë dënuar për veprën dhunë. Kërkojnë rikualifikimin e lëndës për dy vëllezërit Iliç, vrasje me paramendim, dhe të tjerët për sulm fizik.

Ne kemi parashtruar prova që dukshëm do të ndikojnë gjendjen faktike, dëshmi të cilat nuk u pranuan gjatë seancave gjyqësore dhe shumë fakte të tjera që ndikuan në Prokurori të ndërroj kualifikimin juridik dhe gjykata të marr ato vendime. Besoj që pas vendimit të Gjykatës në Strazburg do të krijohen kushtet për të bërë një kërkesë për rigjykim të rastit nga fillimi – deklaroi Ibraim Bajrami, Avokat.

Megjithëse lënda e rastit “Almiri” fillimisht duhet të pres edhe vendimin e Gjykatës Supreme në vend, avokatët thonë se parashtrimi i lëndës me kohë në Gjykatën e Strazburgut do të jetë koherent me që nuk presin një vendim më korrekt se Apeli apo Themelorja. Të gjithë këtë amulli të sistemit të drejtësisë e komentoi edhe Ministri Bojan Mariçiq ditën që ishte prezent para burgut të K’shanjës në Kumanovë. Tha se gjithnjë ka revoltë për vendime gjyqësore, ndërsa bëri thirrje që rasti të paraqitet në Këshillin gjyqësor, për të rishikuar lëshime procedurale të lëndës.

Prej atëherë deri më sot, janë shkarkuar 11 gjykatës por ka edhe procedura tjera, ka plan të brendshëm të Këshillit gjyqësor për rishikimin e punës së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave dhe mendoj se kjo është bazë e mirë të presim cilësi në proceset gjyqësore dhe të jep rezultate pozitive. Ne si ekzekutiv jemi në dispozicion të gjyqësorit ti ofrojmë kushte dhe sigurojmë burime për një klimë të favorshme ku nuk do të munden politikanët të ndikojnë në vendimet gjyqësore – tha Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Ndërkaq, familja Aliu mori vendimin e Gjykatës së Kumanovës që duhet të paraqiten tek Burgu i K’shanjes, duke u refuzuar kërkesën për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg efektiv. Si babai i Almirit ashtu edhe dy xhaxhallarët e tij, brenda afatit ligjor 24 orësh duhet të paraqiten në burg për të mbajtur dënimin prej 6 përkatësisht 9 muaj. Dje, po në të njëjtin burg u paraqit edhe i gjykuari për vdekjen e vogëlushit 4 vjeç, Boban Iliç për të vuajtur dënimin për rreth 3 vite të mbetura, në burgun e llojit gjysmë të hapur, që pati kritika nga pala mbrojtëse e familjes së Almirit, i cili u la për vdekje në qershor të 2016./ALSAT