Facebook para një skandali të ri

Telefonat inteligjentë janë një pjesë e pazëvendësueshme e jetës sonë dhe ne mbështetemi tek ata çdo ditë e më shumë. Por një nga komponentët që prodhuesit ende nuk e kanë përmirësuar ndjeshëm është bateria.

Jetëgjatësia e baterisë ndikohet ndjeshëm nga aplikacionet e përdorura në telefon, por dy aplikacione të përdorura nga shumë njerëz thuhet se qëllimisht e shkarkojnë më shpejt baterinë e përdoruesit.

George Hayward, një ish-punonjës në Facebook, ka publikuar së fundmi një informacion interesant që mund të kthehet në skandal.

Ai thekson se Facebook dhe Messenger kanë aftësinë që qëllimisht të shkarkojnë më shpejt bateritë e smartfonëve të përdoruesve. Ky proces, i quajtur “Testimi Negativ”, u lejon kompanive të teknologjisë të zbrazin fshehurazi baterinë e telefonit të një përdoruesi për të testuar funksione të ndryshme në një aplikacion.

Ish-punonjësi i Facebook-ut, i cili dyshohet se ka refuzuar t’i bëjë këto analiza, tha se në një bisedë me një grua që ishte eprorja e tij, ai i tha asaj se “kjo mund të lëndonte dikë”, për të cilën ajo gjoja u përgjigj: “nëse lëndojmë disa, ne mund të ndihmojmë shumicën”.

Hayward, i cili u shkarkua menjëherë pas kësaj, ngriti një padi kundër kompanisë mëmë të Facebook, Meta, në gjykatën federale në Manhattan. Arsyeja kryesore që ai përmendi është se përdoruesit e Facebook mund të mos jenë në gjendje të aksesojnë telefonat e tyre kur ata kanë më shumë nevojë për to.

Avokati i tij tha se zbrazja e qëllimshme e baterisë së telefonave inteligjentë të përdoruesve është një rrezik për ta dhe se është e paligjshme dhe e egër që dikush të mund të ndërhyjë me bateritë e telefonave tanë.

Hayward tha se, bazuar në dokumentet e trajnimit të brendshëm mbi “Testet Negative”, ai ishte në gjendje të arrinte në përfundimin se kompania kishte kryer teste të ngjashme në të kaluarën.

Meta nuk ka komentuar ende për këtë çështje.