Fabrikimi po bëhet arma më e fortë e mbijetesës politike të spiunëve komunistë

Arbër Çeliku

Pas dështimit të kastës së vjetër në politikëbërje, e cila konsiston në: zhvatje, mashtrim, tradhti, korrupsion dhe përmbysje vlerash, për ta shpëtuar lëkurën e stërholluar të tyren, ata si armën e fundit kanë përzgjedhur fabrikimin.
Fabrikimin ndaj kundërshtarëve politikë, shoqërisë civile dhe mendimit progresiv shoqëror. Dhe këtë e realizojnë përmes mediumeve që i blejnë lirë, mercenarëve intelektualë, të cilët shpërfaqen nën titullin e profesorit, akademikut dhe analistit, si dhe përmes tellallëve dhe megafonëve të tyre, që i kanë ushqyer me asht qysh si këlyshë në prehërin e vet.
Fabrikojnë për Albinin, Vjosën, fabrikojnë për Xha Nuren tim dhe për këdo, që ua “rrezikon” mirëqenien e tyre kriminale dhe vlerë-shkatërruese. Fabrikojnë në emër të lirisë dhe demokracisë, që mbahen peng nga bandat e tyre nga cepi jugor deri në atë verior, nga ai perëndimor deri në atë lindor të shqiptarisë.
Fabrikojnë në emrin e dëshmorëve, martirëve të kombit, që as në varr nuk i lënë të qetë.
Fabrikojnë në emër të çështjes kombëtare për hir të vet, teksa e degraduan kombin, atdheun, gjuhën, kulturën dhe nuk lanë gjë pa përvetësuar.
Fabrikojnë nga më i riu e deri tek më plaku në radhët e tyre dhe thirren në Zot, në xhami rendin e parë e zënë.
Për të fabrikuar nuk perzgjedhin mjet, i lëshojnë zagarët e tyre të të përndjekin me vite, me kë ulesh, ku shkon, krejt WC-të publike me milimetra i njohin, një mal me koleksion fotografish disponojnë. Kanë edhe aparatura speciale përgjimi, po të kapën në radarin e tyre, mjer ti i mjeri, të mbajnë me kokë teposhtë deri sa edhe pikën e fundit të gjakut për hundësh të ta nxjerrin.
Po s’patën ku të kapen dhe nuk ju shkon për llafi, lëshojnë ushtrinë e mumjeve të të sulmojnë, ku ua mban edhe fizikisht, ku nuk ua mban, fabrikojnë verbalisht: nëpër kafene, megjlise, portalet e tyre dhe rrjete sociale.
Metodologjia e tyre është e pakompromis, ia kalojnë fashizmit dhe komunizmit. Shkollë më vete janë, e pashembullt në botë për fabrikim.
Fabrikimi është arma e fundit në betejën e tyre të humbur që moti, por fabrikimi është si një fishekzjarr, i cili aty ndizet dhe aty shuhet me moton e tyre: “Le të shkojë deri sa të shkojë!”
Nuk duan t’ia dinë se fabrikimi është si bumerangu, kënaqesh teksa e lëshon dhe e sheh të largohet rrotullimthi nga ti, por tmerrohesh kur papritmas të kthehet dhe të përndjek duke ia dëgjuar vringëllimën e çjerrë si të atij kalit të plagosur para ngordhjes.
Fabrikimi është veti e spiunëve të komunizmit, që në demokraci u kthye në mjet politik për të mbijetuar në moçalit e pistë të mashtrimit, tradhtisë, korrupsionit, poshtërimit, degradimit dhe antivlerës.
Dhe, nëse nuk do të gjejmë forcë ta përmbysim këtë njëmendësi kaq të rrezikshme për qenien tonë individuale dhe kombëtare, vaj halli për ne…