Gjatë viteve të fundit është vërejtur rritje e vazhdueshme e numrit të personave që kërkojnë ndihmë psikologjike apo psikiatrike, nga ana e të rriturve, por edhe të rinjve. Sipas drejtoreshës së Psikiatrisë ngjarjet e rënda kolektive, si tragjedia e Koçanit, kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe ka shtuar numrin e atyre që i drejtohen profesionistëve për mbështetje emocionale dhe trajtim të specializuar.
“Sfidat më të shpeshta janë ankthet tek popullata e re, por më të tmerrshmet janë ose ndaj atyre që duhet më tepër të kemi kujdes janë depresionet që të çojnë drejt rrezikut për vetëlëndim apo vetëvrasje, që për fat të keq nuk është i përjashtuar tek popullata e re”, tha Sllavica Arsova, drejtoreshë në Klinikën e Psikiatrisë.
Viteve të fundit është rritur edhe sëmundja e demencës. Sipas profesorit Antonio Novotin, të dhënat e OBSH-së tregojnë se deri në vitin 2050 mbi 70 për qind e rasteve të demencës do të paraqiten në vendet me zhvillim të ulët.
“Gjithnjë e më shumë duhet të mendojmë dhe të flasim për ndikimin e jashtëm, për paraqitjen e më shpeshtë të demencës. Këtu ndikon edhe ajri i ndotur, ndikon edhe stresi, depresioni, ndikojnë edhe shumë faktorë, si kushtet sociale ekonomike, pabarazitë. Të dhënat e OBSH-së tregojnë se deri në vitin 2050, 70 për qind e rasteve të demencës do të paraqiten në vendet tona me zhvillim të ulët”, u shpreh Antonio Novotin, profesorë i psikiatrisë.
Këto komente u bënë gjatë shënimit të ditës botërore të Shëndetit Mendor, ku gjithashtu u theksua se familja si institucion, shoqëria dhe profesionistët duhet të jenë më të qasshëm ndaj personave që janë të prekur nga sëmundje të ndryshme të shëndetit mendor, sepse dëgjimi dhe ndihma ndaj njerëzve që janë në krizë është një faktor që mund të kontribuojë në kapërcimin e krizës./Alsat.mk