Është një ‘vrasës’ para portës, zbulohet nënshkrimi i parë i Arne Slot te Liverpooli

Arne Slot do të jetë trajner i Liverpoolit në sezonin e ri 2024/25 dhe kjo tanimë është konfirmuar.

Tekniku holandez ka bërë mjaftë mirë te AZ Alkmaar dhe Feyenoord, derisa tani do të jetë pasardhës i Jurgen Klopp në Anfield.

Me trajnerin e ri, Liverpooli do të bëjë edhe disa transferime, pasi Slot ka një listë me futbollistët të cilët dëshiron t’i transferojë në klubin e tij të ri.

E lojtari i parë në listën e Slot është sulmuesi meksikan Santiago Gimenez i cili është një makinë golash.

23-vjeçari ka dy vite që është pjesë e Feyenoordit dhe ka lënë gjurmë në Evropë, ku këtë edicion ka shënuar 24 gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë në 40 paraqitje.

Slot e ka lojtar të preferuar sulmuesin meksikan dhe dëshiron ta marrë me vete atë në Anfield dhe për këtë tanimë janë njoftuar drejtuesit e The Reds.

Për të transferuar sulmuesin meksikan në Ligën Premier, Liverpoolit do t’i duhet të paguajë një shumë prej rreth 60 milionë euro.

Në garë për reprezentuesin meksikan janë edhe skuadra tjera të mëdha si Milan, Napoli, Arsenal dhe Atletico Madrid.