ESHS: Popullsia në Maqedoninë e Veriut mund të bie në 1.3 milionë banorë!

Projeksionet për popullsinë e Maqedonisë së Veriut tregojnë se ka rënie të popullsisë, bëri të ditur Enti Shtetëror për Statistika, shkruan TV21. Sipas këtij institucioni, nëse mbeten parametrat e vitit 2022 dhe nuk ndryshon asgjë, parashikimet janë se popullsia në vendin tonë do të ulet në 1.3 milionë banorë deri në vitin 2070, nga 2,022,547 që janë tani, respektivisht 1.8 milionë rezidentë.

Projeksionet janë nën supozimin se nuk do të ketë luftëra në vend dhe rajon, do të ketë një situatë normale dhe të qëndrueshme politike të brendshme, në gjysmën e parë të viteve 2030 do të përfundojë procesi i anëtarësimit në BE, do të të ketë zhvillim ekonomik dhe nuk do të ketë situata të mëdha shëndetësore.

Drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski, theksoi se projeksionet e popullsisë paraqesin modelim të së ardhmes demografike, bazuar në supozimet për lëvizjen e mortalitetit, fertilitetit dhe migrimeve në periudhën e përcaktuar, pa përcaktuar mundësinë e realizimit të tyre.

“Projeksionet janë vegël e politikëbërësve që do t’u ndihmojnë në marrjen e masave të duhura”, theksoi Simovski.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski theksoi se problemi kryesor për zvogëlimin e popullsisë është emigrimi dhe jo lindshmëria, ai shtoi se arsyeja e migrimit është cilësia e jetës.

“Bazuar në rezultatet e Censusit 2021, enti statistikave përgatiti një projeksion sipas të cilit popullsia do të zvogëlohej në 1.3 milion. Nga tre elementët kryesore, shkalla e lindshmërisë, vdekshmërisë dhe migrimit, i treti është më shqetësuesi. Së paku tani për ne më shqetësues është emigrimi, e jo lindshmëria”, tha presidenti Stevo Pendarovski.

-Sipas shumicës, arsyeja më e madhe e emigrimit është korrupsioni, tha Pendarovski, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz emigrojnë jo për shkak të pagës së ulët, por për shkak të cilësisë së jetës.

“Qëllimi i projeksioneve nuk është të na shtyjnë në apati, por të na vetëdisojnë”, theksoi Pendarovski.