Erdogan: Vendet perëndimore ranë në testin për Gazën

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar sot bashkësinë ndërkombëtare se vetëm është spektatore në gjenocidin izraelitë ndaj popullit palestinez, ndërsa presidentin izraelit Benjamin Netanjahu e quajti “fyhrerin e së sotmes”. (Fyhrer është titulli që mbante Hitleri).

“I shohim ata që mbështesin pa kushte Izraelin. Ata që sot mbyllin sytë para masakrave, nesër do të pendohen. Vendet perëndimore dhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë ranë në testin në Gazë dhe kanë humbur kredibilitetin e tyre”, tha Erdogani në inaugurimin e anijeve të reja për marinën turke në provincën veriperëndimore të Jalovës.

Ai theksoi se ata që theksojnë se mbrojnë demokracinë i injorojnë vrasjet e grave, fëmijëve dhe foshnjave në 105 ditët e fundit që nga fillimi i sulmeve izraelite, transmeton “Dejli sabah”.

“Ata vetëm po vëzhgojnë me qetësi barbarizmin i cili u shndërrua në gjenocid të kryer nga ‘fyhreri’ i sotëm Netanjahu dhe ekipi i tij gjakatar kundër palestinezëve”, shton presidenti turk.

Erdogani tha si në Irak, BeH, Siri, Jemen, Mjanmar, Somali dhe Afganistan, institucionet përgjegjëse për sigurimin e sigurisë globale dështuan dhe “pësuan humbje serioze të besueshmërisë”.

Ai tha se Turqia do të vazhdojë luftën e saj të vendosur kundër terrorizmit “derisa këneta e terrorizmit në Siri dhe Irak të thahet plotësisht”.