Erdogan: Sulmi ushtarak në Idlib i pashmangshëm

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kërcënoi sot Sirinë se do të niste një sulm të menjëhershëm ushtarak në Idlib, ku luftimet e javëve të fundit kanë vënë kundra forcat e Ankarasë me ato të Damaskut.

“Këto janë paralajmërimet tona të fundit. Ne mund të sulmojmë natën pa paralajmëruar. Për ta thënë më qartë, një operacion në Idlib është i pashmangshëm”, deklaroi Erdogan, duke i bërë thirrje edhe një herë regjimit sirian që të tërhiqet nga disa pozicione në Idlib deri në fund të shkurtit.

Këto kërcënime vijnë pasi bisedimet mes Ankarasë e Moskës nuk arritën t’i ulin tensionet në rajonin e Idlibit.

“Fatkeqësisht, as bisedimet në vendin tonë e në Rusi dhe as negociatat në terren nuk na kanë lejuar të marrim rezultatin që duam”, vazhdoi presidenti turk.

Forcat e Damaskut, të mbështetura nga forcat ajrore ruse, kanë dyfishuar javët e fundit përpjekjet e tyre për të rimarrë Idlibin, një ofensivë kjo që ka shkaktuar eksodin e më shumë se 900 000 civilëve.