Erdoğan: Ligji i reformës penale do të përmbushë pritjet e qytetarëve

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Ligji i reformës penale në Turqi për të reduktuar mbipopullimin në burgje dhe për të mbrojtur të burgosurit kundër koronavirusit të ri (COVID-19) do të përmbushë pritjet e qytetarëve në një shkallë më të lartë lidhur me manifestimin e drejtësisë.

Presidenti Erdoğan tha se publikimi i ligjit të ri do të lejojë që shumë të dënuar të largohen nga burgjet në përputhje me ndryshimet në periudhat e ekzekutimit. Ai po ashtu theksoi se beson se këta qytetarë nuk do të zhgënjejnë shtetin dhe shoqërinë.

“Ne e dimë se kemi shumë më tepër për të bërë në ndjekje të drejtësisë, një ideal i pafund i njerëzimit”, u shpreh presidenti turk.

Sot më herët, parlamenti turk ratifikoi një projekt-ligj për reformën penale, që synon të ulë dënimet e mijëra të burgosurve, duke i hapur rrugë lirimit të tyre në një përpjekje për të lehtësuar mbipopullimin dhe mbrojtjen e tyre nga koronavirusi.

Së fundmi, autoritetet shëndetësore turke njoftuan se numri i të vdekurve nga koronavirusi në vend është 1.296, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara 61.049.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, deri më tani është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.

Bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, numri i personave të infektuar nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën 1.9 milionë, me rreth 121 mijë të vdekur dhe rreth 465 mijë të shëruar.