Erdogan i nervozoi me deklaratën për Kosovën në NATO, Vuçiq: Nuk protestojmë

Gjatë vizitës së Presidentes Vjosa Osmani në Turqi një javë më parë, ku kjo e fundit u prit nga Presidenti turk Recep Tayiip Erdogan, u bë fjalë edhe për anëtarësimim e mundshëm të Kosovës në NATO.

Erdogan i cili tha se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe se për këtë Ankaraja nuk kërkon leje nga askush, nxiti reagime në Serbi e cila tha se do t’i çojë notë proteste autoriteteve turke.

Por,  Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të shtunën, pati një bisedë telefonike me Erdogan, në njoftimin e presidencës serbe nuk u tha se ka diskutuar rreth kësaj proteste. Aty u përmendë çështjet bilaterale, Ballkani Perëndimor dhe Ukraina.

Të hënën, Vuçiq ka thënë se ka hequr dorë nga ky mjet diplomatik, edhe pse e ka përmendur se me Erdogan kanë folur për këtë temë.

Ai tha se Serbia ka hequr dorë nga dërgimi i një note proteste Turqisë në lidhje me qëndrimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

I pyetur se çfarë ndodhi me notën protestuese për Turqinë për të cilën ai po mendonte, Vuçiq tha se është marrë vendim që të mos dërgohet.

“Kam pasur një bisedë të planifikuar me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Ai sqaroi se çfarë tha, çfarë u përcoll dhe ne morëm vendimin që të mos dërgojmë notën”, shpjegoi Vuçiq.