“Epoka e pasojave”/ Vala e të nxehtit do të përhapet edhe në lindje të SHBA

Një valë e të nxehtit që po “pjek” jugperëndimin e SHBA-së për javë të tëra do të zgjerohet në rajonet qendrore dhe lindore.

Duke filluar nga Midwest, moti i nxehtë do të shtrihet në lindje deri në majën jugore të Floridës deri të mërkurën, thonë meteorologët.

Rekordet e temperaturës prekën disa qytete të mëdha gjatë fundjavës dhe rreth 56 milionë amerikanë.

Ky korrik pritet të jetë muaji më i nxehtë i Tokës në disa shekuj. Të dielën, qyteti i Phoenix, Arizona, regjistroi temperatura rekord mbi 43C në ditën e 24-të.

Të paktën 18 vdekje të lidhura me nxehtësinë kanë ndodhur në qarkun përreth Maricopa që nga prilli, me 69 vdekje të tjera nën hetim.

Ndërkohë, në qytetin kufitar të El Pasos, Teksas, banorët përjetuan një ditë të 38-të radhazi në temperatura mbi 38 C.

Shërbimi i Parkut Kombëtar ka raportuar gjithashtu të paktën katër vdekje midis vizitorëve në parqet e tij në rajonin jugperëndimor.

Dy alpiniste u gjetën të vdekura në Parkun Shtetëror Valley of Fire në Nevada të dielën, mes temperaturave deri në 45 gradë Celsius. Policia ende nuk ka bërë të ditur identitetin e tyre apo shkaqet e mundshme të vdekjes.

Temperaturat e oqeanit në Florida të Jugut dhe Keys mund të arrijnë nivele të larta të paprecedentë pasi vala e të nxehtit shtrihet në lindje në ditët në vijim.

Sipas BBC Weather, vala e të nxehtit është shkaktuar nga një “kupolë nxehtësie”, një zonë e madhe me presion të lartë.

“Gjatë kësaj jave, kupola e nxehtësisë do të zgjerohet, duke sjellë mot më të nxehtë dhe temperatura mbi mesataren pothuajse në të gjithë SHBA-në kontinentale,” tha meteorologu Simon King i BBC Weather.

Qendra e Parashikimit të Klimës në Shërbimin Kombëtar të Motit thotë se kjo valë e fundit e të nxehtit do të zgjasë edhe dy javë të tjera.

Të dhënat nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike tregojnë se SHBA këtë vit ka vendosur ose lidhur më shumë se 13,000 rekorde të temperaturës së lartë, si dhe 16,000 rekorde të temperaturës së ulët.

Ekspertët thonë se valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më shumë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Guvernatori demokrat i shtetit të Uashingtonit, Jay Inslee, tha për ABC News të dielën se valët e të nxehtit të raportuara në mbarë botën janë dëshmi se “Toka po na bërtet”.

Shkencëtarët po na thonë se kjo është epoka e re. Kjo është epoka e pasojave.

Top Channel