“Enver Hoxhaj ka punuar kundër UÇK-së”, zbulohet se çfarë kishte thënë Hashim Thaçi për Enver Hoxhajn

Kreu aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dikur del të ketë qenë kundërshtari më i madh i po të njëjtës parti. Madje, në një rast ish anëtari i PDK-së Bilall Sherifi, tash anëtar i Nismës Socialdemokrate, kishte treguar detaje shokuese, që sipas tij, Hashim Thaçi i kishte thënë për Enver Hoxhajn.

Në një intervistë të dhënë në vitin 2013, Bilall Sherifi tregon se Hashim Thaçi kishte kërkuar të mos rrinin me Hoxhajn pasi sipas tij kishte punuar kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në mënyrë eksplicite ka kërkuar mos rrini me këtë, mos rrini me këtë, sepse ata janë armiq të Kosovës. E me kalimin e kohës i ka bërë bashkëpunëtorë më të afërt”, kishte rrëfyer Sherifi në vitin 2013.

Sipas tij njëri nga këta njerëz ishtë Enver Hoxhaj, i cili në vitin 2013 mbante postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

“… Hashim Thaçi na ka tregu neve se kush është. Ne nuk e kemi njohur. Ai na ka thënë Enver Hoxhaj është një njeri i cili në Vjenë e ka sabotuar UÇK-në, ka punuar kundër UÇK-së, ka punuar kundër PDK-së”, ka treguar Sherifi.

Madje ai tregon një detaj të rëndësishëm, të cilin Thaci e kishte ndarë me anëtarët e partisë së tij.

“Bile na ka thënë një citat, sdi sa është i vërtetë, ai duhet ta sqarojë këtë se Enver Hoxhaj ka thënë se po t’fitojë UÇK-ja, pastaj PDK-ja, unë do të kërkoj azil në Beograd. E ka thënë Hashim Thaçi, neve na ka thënë Hashim Thaçi, prandaj kërkoj që mos të rrini me atë njeri se ai është kundërvajtës, kështu e citoj tekstualisht çka ka thënë për të. Pra si mund unë tash të besoj një njeri që do të mbrojë interesat në raport me Serbinë, për të cilin Hashim Thaçi na ka thënë se ai është i gatshëm të shkojë dhe të kërkojë azil në Beograd”, kishte deklaruar Bilall Sherifi në vitin 2013, intervistë të cilën mund ta ndiqni nga minuta e 8-të.