Ende pa filluar zyrtarisht fushata, partitë në garë me premtime

Ndonëse ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, partitë kanë nisur të prezantojnë idetë e tyre, lidhur me investimet kapitale.

Sipas ekspertëve, këto premtime partitë po i bëjnë pa bërë paraprakisht një analizë të mirëfilltë rreth kostos së realizimit të këtyre premtimeve.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet, do të investojë dy miliardë euro në infrastrukturë.

Ndërkaq, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) është kundërpërgjigjur duke thënë se në tre vjetët e qeverisjes, shumë energji është harxhuar në sanimin, e siç ka thënë kjo parti, të dëmeve të shkaktuara nga qeverisja prej më shumë se një dekade të VMRO-së. Sipas LSDM-së, në më pak se tri vjet, janë ndërtuar dhe rehabilituar më shumë se 750 mijë kilometra rrugë.

Ndërkaq, partitë shqiptare janë të fokusuara në realizimin e autostradës që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën si dhe shpërndarjen e barabartë të mjeteve për investimet në infrastrukturë në zonat e banuara me shqiptarë.

Analisti Isen Saliu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kësaj radhe partitë politike duhet ta kenë të qartë se votuesit presin prezantim të projekteve konkrete. Ai thotë se partitë nuk duhet që të akuzojnë njëra-tjetrën, pasi sipas tij, kjo mund të ketë efekt negativ tek elektorati.

“Është e rëndësishme që subjektet që marrin pjesë në garën zgjedhore t’i kushtojnë vëmendje prezantimit të projekteve origjinale, të cilat mund të realizohen me fondet e Bashkimit Evropian. Kam përshtypjen se këtij segmenti shumë të rëndësishëm nuk i kushtohet vëmendja e merituar gjatë fushatës zgjedhore edhe pse Brukseli ofron miliona euro për realizimin e tyre”, thotë Saliu.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në mungesë të ofrimit të projekteve konkrete, që do të përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve, partitë po e shfrytëzojnë këtë periudhë para nisjes së fushatës, që të shkëmbejnë akuza.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafil Ivanovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë mbetet ‘fushëbeteja’ e subjekteve politike edhe gjatë këtyre zgjedhjeve të parakohshme, që janë caktuar të mbahen më 12 prill.

“Për fat të keq, qytetarëve nuk u ofrohet asgjë konkrete, pos që të zgjedhin në mes të asaj që është e keqe ose më pak e keqe, opsion të tretë nuk ka. Përderisa mbetet i padukshëm përparimi në sistemin e drejtësisë edhe në këto zgjedhje në fokus do të mbetet mosndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta. Votuesit në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht do të duhet të vendosin mes atyre që janë më pak ose më shumë të zhytur në korrupsion”, thotë Ivanovski.

Agjencitë që bëjnë matje të opinionit publik, thonë se dy partitë më të mëdha maqedonase, mezi arrijnë 20 për qind besueshmëri tek elektorati, si pasojë e polemikave të shumta në këtë periudhë parazgjedhore./REL