Emira Selimi: Janë mbledhur rreth 30 mijë libra për bibliotekën e parë shqipe në Manastir

Studentja Emira Selimi, ka njoftuar se ka mbledhur rreth 30 mijë libra, të cilat do të vendosen në bibliotekën e parë shqipe në qytetin e Manastirit.

Në paraqitjen e saj në “Opinion”, Emira tregoi se librat i ka mbledhur nga të gjitha qytetet shqiptare, edhe atë vetëm nga qytetarët.

“Deri tani më duket se ka shkuar numri në 30 mijë libra. Qyteti i alfabetit e meriton këtë. Librat i kam mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare. Asnjë institucion nuk më ka ndihmuar, libra kanë dhuruar vetëm qytetarët”, tha Emira Selimi, përcjell Telegrafi Maqedoni.


Më herët në një intervistë për Telegrafi Maqedoni, ajo tregoi për iniciativën e saj që në qytetin e Manastirit të hap bibliotekën e parë shqiptare. Ajo tha se kjo ide i ka ardhur në vitin 2021, kur ka nisur një hulumtim në lidhje me gjurmët e shqiptarëve ortodoks në Manastir.

“Në momentin kur unë fillova të gjurmoj aty, kuptova edhe fatin e shqiptarëve të sotëm që kanë mbetur në qytetin e Manastirit. Statistikat tregonin se në Manastir ishin vetëm 5% shqiptarë ndërsa këto 5% ishin vetëm ato që kishin mbiemrat e shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe ishin me mbiemra të sllavizuar dhe të turqizuar dhe këto shqiptarë me këto mbiemra në statistika pavarësisht se deklarohen shqiptar ato nuk shkruhen në statistika të tillë. Nënkupton në Manastir t’i mund të jesh gjithçka vetëm shqiptar jo”.

“Më pas kuptova që shqiptarët atje po humbnin gjuhën shqipe, shqiptarët në Manastir e flasin shqipen me shumë pengesa dhe kjo është si pasojë e mungesës së shkollës së mesme shqipe por edhe të literaturës shqip, dhe një bibliotekë e pasuruar me libra shqip do i mbroje shqiptarët atje nga asimilimi dhe mbrojtja e gjuhës anëtare shqipe”, ka thënë Emira Selimi.

Pas iniciativës së saj për hapjen e bibliotekës shqiptare, ajo njoftoi se ka marrë edhe kërcënime dhe se është quajtur “terroriste”.