Elmazi dhe Haxhiu kërkojnë zbardhjen e rastit: Policia duhet të jetë mburojë e qytetarit

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, dhe deputetja e VLEN-it, Feride Haxhiu, kanë dënuar rastin e raportuar të dhunës ndaj dy të rinjve nga Saraji gjatë një kontrolli policor, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi në rast se konstatohen shkelje.

Elmazi ka shprehur shqetësimin për ngjarjen dhe solidaritetin me familjarët e të rinjve, duke theksuar se policia duhet të garantojë sigurinë e qytetarëve dhe të veprojë në përputhje me ligjin.

“Policia duhet të jetë gjithmonë mburojë e qytetarit, simbol i sigurisë, profesionalizmit dhe zbatimit të ligjit, kurrsesi burim frike apo pasigurie për të rinjtë tanë”, ka deklaruar Elmazi.

Ai ka kërkuar që Kontrolli i Brendshëm dhe Prokuroria të ndërmarrin masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkaq, deputetja Feride Haxhiu ka bërë të ditur se ka komunikuar me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, nga i cili ka marrë garanci se rasti do të trajtohet në mënyrë të paanshme dhe profesionale.

Haxhiu ka kërkuar që ngjarja të hetohet deri në fund dhe që, nëse vërtetohen shkelje, përgjegjësit të japin llogari para ligjit.

“Drejtësia dhe siguria e qytetarëve tanë nuk janë të negociueshme!”, ka theksuar Haxhiu.