Ekspozitë e pesë piktorëve kumanovarë në Galerinë ODA në Shkodër

Vlora DEMIRI (Historiane e Artit)

 

Ekspozite me 5 piktorë kumanovarë te zhanrit te ndryshem artistik. Të ndryshëm në shprehje, të njejtë në qëllim. Jemi copëza të një tërësie, të lidhura nga fati i nyjes ndarëse. Jemi gjymtyrë të një trupi që përçarjen e ka patologji trashëshguese që nga vet ekzistenca e trungut mijërjavjecar. Jemi degë që “falë” erërave të fuqishme të historisë jemi gjunjëzuar, përulur, thyer, jemi çarë e përçarë. Periudha të tëra, pa lulëzuar fare si trung i përbashkët, japim fryte si fara të shpërndara në çdo cep të botës. Mirëpo, kurrë nuk jemi larguar pa e kthyer kokën pas, shpesh herë edhe duke e humbur atë që e kemi para. Kthimi i këtyre copëzave në një tërësi të vetme, si ideal i popullit shqiptar, ka qenë pikënisja e shumë aristëve që artin e kanë armë të vetme. Edhe pse përpjekja e tyre është e pranishme vazhdimisht, nëntori është muaji që bashkon zërat e artistëve shqiptar dhe po ky muaj është ai i cili i zhdukë kufijtë fizik ndërmjet trojeve shqiptare. Elita Haliti, Osman Demiri, Armend Ademi, Adrian Kadrija dhe Dali Alili janë pesë artistët bashkëkohorë kumanovarë që këtë nëntor zbarkojnë artin e tyre në Shkodër. Të ndryshëm në shprehje, por të njëjtë në qëllim, këta artistë nëpërmjet fotografisë, pikturës dhe skulpturës krijojnë një urë lidhëse ndërmjet këtyre dy qyteteve shqiptare. Veprat e tyre janë një refektim i gjendjes fizike dhe shpirtërore të popullit tonë. Piktura e Elita Halitit Prekëm, ngacmon pa bë zë, është si një lutje e heshtur, por që përçon mesazhin si ndonjë proces fizik, për t’na e kujtuar prezencën dhe egzistencën tonë, me butësinë dhe vrazhdësinë e asaj që na rrethon. Fotografia Përtej kaosit e Osman Demirit shpreh qëndrimin, indiferencën dhe (mos)reagimin e shoqërisë në aktualitetin tonë politik, ekonomik dhe kulturor. Është një qetësi e pavend që na përshkon neve si popull që në të shumtën e rasteve fshihemi apo shfryhemi pas tymit të një cigareje. Pikturat Kundërshtia të Armend Ademit, ndryshe nga qetësia e veprave shoqëruese, karakterizohen nga konflikti dhe zhurma e ngjyrave që na bën të ndjejmë shpërthimin kundër këtyre ngjarjeve aktuale si dhe atyre historike. Ndonëse një shpërthim i zhurmshëm, përzgjedhja e ngjyrave na bën të kuptojmë që ky është një reagim për ta mbrojtur veten duke mos pasur kurrë qëllim që ne të jemi iniciatorë të së keqes. Skulptura You’ve touched my soul, but I don’t give a fuck anymore e Adrian Kadrijës, në të njëjtën kohë është një klithmë dhe britmë e popullit shqiptar që ndër vite është etiketuar negativisht, torturuar dhe ka marë dhimbje nga ngjarje të ndryshme në histori. Artisti nëpërmjet kësaj vepre bën thirrje që edhe pas goditjeve të njëpasnjëshme që kanë lënë pasoja edhe sot, të mundohemi që plagët tona t’i kthejmë në dritë, si shenjë rezistence dhe ndryshimi. Fotografia e meditimi i Dali Alilit është një pasqyrë e realitetit të jetës ballkanike në përgjithësi, ku jemi të bindur që qetësia në këto troje është absurde dhe reflektimi i vibrimeve mbi ujin në këtë vepër shpreh pragun e një stuhie dyftyrëshe. Duke iu larguar shprehjeve dhe kompozicioneve narative, këta pesë artistë me një qasje konceptuale dhe shprehje bashkëkohore arrinë të përçojnë mesazhin që të bashkuar mund të jemi antidota e helmit të krijuar nga vetë injoranca jonë kolektive dhe e keqja e vetvetes.
(*Ekspozita mbahet në Galerinë ODA në Shkodēr, me rastin e Ditë sē Flamurit – Pavarësisë së Shqipërisë)