Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë, gratë dhe fëmijët ukrainas po trafikohen si skllevër seksi në Emiratet e Bashkuara Arabe

Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë për gjasa të mëdha që gratë dhe fëmijët e rrezikuar në Ukrainë, po shiten si skllevër seksi në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Miliona njerëz janë larguar nga vend nga fillimi i luftës në Ukrainë, gjë që ka rritur frikën se refugjatët që do të jenë të ekspozuar ndaj trafikimit me qenie njerëzore, transmeton Telegrafi.

Disa prej tyre tashmë ishin cak i trafikimit në kampet e refugjatëve në Poloni, por ekspertët besojnë se numri i madh i tyre që janë dërguar dhunshëm në Rusi – janë të rrezikuar më shumë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pati deklaruar më herët se frikësohet që rreth 200 mijë janë zhdukur nga fillimi i luftës.

Tani raportimi i ri i Institutit për Mbrojtje dhe Siguri me seli në Washington dhe Qendra për Politika të Jashtme e New Yorkut, ka zbuluar se disa prej grave dhe fëmijëve të “humbur” mund të shiten në skllevër seksi në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shumë hetues thonë se shumë oligarkë rusë kanë kërkuar strehim në këtë shtet për t’i shmangur sanksionet ndërkombëtare, dhe se kanë nevojë për personel që e flet gjuhën ruse.

Edhe pse çështja e trafikimit me njerëz në Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është diçka e re, në raport thuhet se për shkak të eksodit të refugjatëve nga Ukraina, kjo çështje do të jetë “temë e nxehtë”.