Egbo: E merituam kualifikimin, ndaj Crvena Zvezdës nuk është e pamundur!

I lumtur për kualifikimin por edhe besimplotë se Tirana mund të bëjë të pamundurën realitet edhe në sfidën e raundit të dytë të Championsit ndaj Crvena Zvezdës. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri nigerian i bardhebluve e analizoi kështu suksesin ndaj Dinamos së Tbilisit.

“E dinim se Dinamo ishte një ekip agresiv dhe përdori në mënyrë shumë aktive krahët. Loja u zhvillua sipas parashikimeve tona. Ne fituam, por nuk e ndryshoj dot mendimin se kundërshtari është një skuadër e fortë. Ne donim të luanim në mënyrë kompakte mbrapa dhe agresivisht në sulm. Së bashku me presidentin, ne ishim vërtet të lumtur që na ra Dinamo në short për shkak se kundërshtarët e tjerë të mundshëm ishin ndjeshëm më të fortë. Kemi konsideruar se kishim më shumë shanse me Dinamon. Ne besuam se do të arrinim në fazën tjetër dhe kështu ndodhi. E merituam fitoren, tani festojmë triumfin e sotëm, dhe nesër do të mendojmë për fazën tjetër. Ne në ndeshjen e radhës luajmë Crvena Zvezda në shtëpi, gjë që na jep një avantazh të vogël. Ne do të bëjmë më të mirën me kundërshtarin e radhës dhe besojmë se asgjë nuk është e pamundur”,- u shpreh Egbo.