Edukata dhe dilema e ndikimit edukativ të rrugës

Xheladin Murati
Ndikimi edukativ i rrugës është pa qëllime të caktuara më parë, i paplanifikuar dhe josistematik. Por, përsëri në jetën dinamike e të paorganizuar, me kahe të ndryshme të aktivitetit që realizohen në të, rruga ndikon në mënyrë funksionale në edukimin e fëmijëve. Loja, siç është e njohur gjerësisht, fëmijuën e mban në gjendje mobile dhe aktive dhe ajo ka karakter psiko-social, terapeutik dhe edukativ. Mirëpo, përkundër kësaj, të gjithë prindërit janë kundër qëndrimit të fëmijëve në rrugë, kundër lojës në rrugë edhe pse rruga është një pjesë e jetës së fëmijës. Në rrugë jo! Kjo është përgjigje e prindërve . Por, fëmija përsëri aty del, aty argëtohet, aty kalon një kohë. Kjo gjë është edhe normale nga aspekti pedagogjik, social dhe shëndetësor.
1.Premisat.
1.Loja në rrugë ka ndikim edukativ, fëmija dëshiron të eksplooroj në rrugë.
2.Ajo çka përjetohet në rrugë ka tendencë të transferohet edhe në familje.
3.Fëmija ka nevojë për ndihmë që të bën seleksionimin e ndikimeve pozitive të rrugës.
4.Në rrugë fëmija meson gjëra të mira dhe të këqija.
5.Rruga kryesisht teke fënija nxit agresivitetin, egoizmin dhe gjuhën e sharrjes.
2.Qasjet dhe aspektet
2.1.Loja në rrugë ka ndikime edukative
Rruga e inkurajon fëmijën, i mundëson integrim social, vendosje të marrëdhënieve sociale e miqësore që kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin psiko-social dhe emocional të fëmijës. Prandaj shtrohet pyetja pse t’i ndalohet fëmijës loja në rrugë, argëtimi në rrugë kur dihet se ajo është pjesë e jetës së tij, për të cilën ai do t’i lidhë kujtimet, imagjinatën, ngjarjet, shoqërinë etj.?
Në rrugë fëmija luan role të ndryshme. Ai është në gjendje të drejtojë lojën, ta udhëheqë lojën, të dirigjojë, urdhërojë, por edhe t’u nënshtrohet urdhëresave e kërkesave. Marrëdhëniet e vendosura sociale kanë ndikim pozitiv psiko-pedagogjik, sepse ndikojnë në lirimin e fëmijës, liri në lëvizje, në të menduar, në krijimtari. E tërë kjo është rezultat i koaksionit, dinamikës sociale në grupe, bashkëpunimit, respektimit të rregullave, të ndihmës reciproke etj.
Shikuar nga ky aspekt, rruga edhe pse nuk është institucion edukativ, është një prej faktorëve edukativ të fëmijës, sepse është hapësirë dhe vend i domosdoshëm ku fëmija do ta kalojë një pjesë të kohës. Me këtë dëshiroj të nxjerr përfundimin se, pavarësisht nga ne, rruga do të ndikojë në zhvillimin dhe edukimin e fëmijës dhe do të lërë vulë në jetën e tij. Sa do të jetë ky ndikim konstruktiv, pozitiv dhe sa do të jetë negativ apo destruktiv varet nga faktorë dhe momente të tjera e para së gjithash nga mosha e fëmijës, nga struktura e shokëve, nga aftësia për seleksionimin e ndikimeve negative prej tyre pozitive, nga aftësia për t’i pranuar ndikimet pozitive e t’i evitojë ato negative, nga shkalla e stabilitetit emocional, nga aftësia të gjykojë, të solidarizohet të vendosë kontakte sociale, nga aftësia për t’u gjendur në situata nga temperamenti i tij, nga tipi i fëmijës – introvert apo ekstravert etj.
2.2.Në rrugë fëmija meson gjëra të mira dhe të këqija
Është e vërtetë se fëmija në rrugë mëson gjëra të mira dhe të këqija, bie në kontakt me dukuri të papëlqyeshme e të papranueshme. Shtrohet pyetja si mëson ai? Në rrugë fëmija mëson në mënyrë të paplanifikuar, spontanisht pa kontroll dhe pa ndihmë të tjetrit. Ai mëson çdo gjë që dëgjon, që shikon, që vepron, që prekë. Aty nuk respekton metoda e parime, rregulla e strukturë logjike. Mësues janë të gjithë fëmijët. Secili mëson prej çdokujt.
Në këtë proces të socializmit, secili ka rast të bëhet mësues, të tregojë, demostrojë, të japë detyra e kështu me rradhë. Në rrugë fëmija përfiton dituri, përvojë, shprehi kryesisht (jo) kulturore dhe (jo) higjienike. Por, në këtë mësim të socializuar ai përvetëson edhe shumë gjëra pozitive: zhvillohen disa veti pozitive të personalitetit të fëmijësë, siç janë pavarësia, vetëiniciativa, miqësia, vendosmëria, ndjenjat kolektive, konsekuenca, maturia, komunikimi etj. Posaçërisht duhet theksyar fakti se rruga kontribuon në afrimin e fëmijëve, në afrimin e fëmijëve të strukturave të ndryshme sociale në zhvillimin e multikulturalizmit, në të mësuarit e gjuhës së mjedisit shoqëror e të gjithë këto gjithsesi janë në favor të edukimit të drejtë të fëmijëve.
Edhe përkundër ndikimeve pozitive që ushtron rruga në formimin dhe edukimin e fëmijës, ajo ka ndikim të madh negativ te fëmijët. Jeta dinamike dhe e paorganizuar në të mundëson që te fëmijët të miratohen norma të sjelljes që janë në kundërshtim me normat pozitive shoqërore, me normat e etikës. Këto ndikime negative të rrugës janë gjithashtu të shumta. Ato janë gënjeshtra, vjedhja, rrahja, zënkat, sjelljet asocial, reagime antisociale, kriminaliteti, formimi i grupeve, bastardimi i gjuhës, sharjet, komunikimi në gjuhë lokale, delikuenca, agresiviteti etj.
Mirëpo shtrohet pyetja: a përvetësojnë fëmijët çdo gjë që shohin, që dëgjojnë dhe në këtë kontekst edhe momentet negative që i mundëson rfruga? Kam bindje se jo. Miratimi dhe përvetësimi i ndikimeve të rrugës, negative apo pozitive qofshin ato, varet nga faktorë të tjerë. Për seleksionimin e ndikimeve, për miratimin e ndikimeve dhe momenteve pozitive fëmija duhet të përgatitet. Prandaj, është e domosdoshme ndihma e prindërve, e shkollës dhe e faktorëve të tjerë që drejtpërdrejtë merren me edukimin e fëmijëve. Me të drejtë në ndikimet edukative të rrugës nuk duhet shikuar vetëm anën e zezë, vetëm momentet negative. Në këtë kontest, lidhur me ndikimin edukativ të rrugës. Marija Brataniq thotë: “Jetën e rrugës dhe problemet që lindin në të nuk bën t’i shikojmë si diçka vetvetiu është negative. Këtë faktor nuk mund ta evitojmë nga edukimi, por duhet të insistojmë, nëpërmjet kujdesit sistematik shoqëror, që ndikimet e rrugës t’i transformojmë në fuqi pozitive”.
2.3.Pse fëmija dëshiron të luaj në rrugë
“Babi/mami të luajë, pak poshtë” – kjo është moto e fëmijëve dhe kërkesa më e shpeshtë. Është mirë që fëmija dëshiron të luajë me shokë. Shoqërimi i mundëson fëmijës zgjerimin e horizontit dhe një sjellje të socializuar, liri në lojë dhe në sjellje, pa pasur nevojë të mbrohet mos ta thyejë llusterin, mos ta prishë murin, regallin, tavolinën etj.
Duke e pasur këtë parasysh, posaçërisht socializimin dhe zhvillimin e ndjenjave kolektive, rrugën duhet konsideruar dhe trajtuar si faktor edukativ. Kjo është me rëndësi posaçërisht kur shoqëria e rrugës i mundëson fëmijës miratimin e shprehive pozitive, norma të sjelljes positive, qëndrime të drejta etj.
Në rrugë, në praninë e moshatarëve në mungesë të prindërve dhe të të rriturve dhe në mungesë të kërkesave: mos prek! mos vrapo! ngadalë! mos the! mos e rrëzo! ki kujdes! largohu prej aty! etj. që kanë funksion të impulseve, fëmija ndjehet i lirë, i pavarur, lëviz sipas dëshirës së vet edhe interesit, është i pavarur në lojë, luan pa kufizime. Në këtë lojë, e cila gjithashtu është kreative, mobilizuese, e nxitur dhe e drejtuar nga interesi i fëmijës, te ai zhvillohen procese psikike. Por rruga nuk u mundeson fëmijëve liri të plotë, liri totale, absolute, përkatësisht lojë pa kufij. Në tërë lirinë që kanë fëmijët duhet të kenë kujdes mos dëmtohen, mos rrëzohet, mos e thyejnë krahun, këmbën etj. Dhe jo vetëm kaq. Duhet të kenë kujdes për mbajtjen e higjienës së trupit, të rrobave. Për këtë duhet mësuar dhe përgatitur fëmijën.
2.4.Qëndrimi i familjes dhe shkollës ndaj edukimit të rrugës
Familja dhe shkolla nuk duhet të krijojnë qëndrim negativ dhe refuzues ndaj rrugës. Nuk duhet rrugën të paraqesim si pikë të zezë në jetën e fëmijës. Ajo duhet të krijojë një qëndrimk pozitiv ndaj ndikimeve të rrugës, duke formuar te fëmija qëndrime të drejta për sjelljen në rrugë.
Prindërit dhe arsimtarët duhet të kontribuojnë në përgatitjen e fëmijëve për shfrytëzimin e rrugës duke e afirmuar ndikimin pozitiv dhe duke evituar atë negativ. Kjo do të thotë se edhe kur luan fëmija në rrugë, prindërit mund ta orientojnë aktivitetin dhe lojën e tij. E njejta gjë vlen edhe për shkollën, e cila nëpërmjet punës sistematike edukative, aktiviteteve të ndryshme, mund ta analizojë dhe drejtojë sjelljen e fëmijës në rrugë në kahe pozitive.
Në këtë mënyrë prindi dhe arsimtari paraqiten si faktorë të rëndësishëm për përcjelljen e ndikimeve edukative të rrugës dhe seleksionimin e tyre. Kështu, ndaj ndikimeve të rrugës nuk duhet të jemi indeferentë, por duhet pasur një qëndrim tolerues, duke mos e mohuar rolin dhe ndikimin edukativ të saj. Ky ndikim edukativ shprehet sidomos me zhvillimin e fëmijës në zhvillimin dhe formimin e ndjenjës sociale, në aftësimin e fëmijës për punë praktike, në zgjedhjen e shokut të dashur, në inkuadrimin e tij në kolekktive, në respektimin e normave të grupit respektimin e rregullave etj.
Familja dhe shkolla pra, duhet të jenë përgjegjës për mënyrën e shfrytëzimit të rrugës dhe të aftësojnë fëmijën për seleksionimin e ndikimeve pozitive dhe negative dhe miratimin e ndikimeve pozitive dhe evitimin e atyre negative. Në fakt, familja është nyja e educates, rruga e zgjidh atë me eksperiencat e këqia që e bën të pavlerë edukimin.
2.5.Ta rregullojmë rrugën për të ndikuar pozitivisht
Kur dihet se fëmija patjetër do ta shfrytëzojë rrugën si pjesë të jetës, do të ecë nëpër të dhe atë do ta shfrytëzojë si vend për lojë dhe argëtim. atëherë shtrohet dhe detyrë e domosdoshme që të kujdesemi për pamjen e saj, për rregullimin e saj.
Rruga ndikon në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë në edukimin e fëmijës. Ajo e njeh me të kaluarën, me personalitete të njohura historike, me fytyra kulturore dhe historike, me vende dhe ngjarje historike, me data të rëndësishme nga e kaluara jonë. E tërë kjo arrihet nëpërmjet emrave me të cilat pagëzohen rrugët, me rregullimin e tyre, me mbishkrimet me të cilat zbukurohet rruga me rregullimin e parqeve, gjelbërimin etj. Të gjitha këto formojnë një qëndrim pozitiv të fëmijës, ndaj përgjegjësive, formojnë qëndrim të drejtë ndaj pronës shoqërore, ruajtjes së saj, kujdesit për gjelbërimin, formon kulturën ekologjike etj.
Rregullimi i rrugës kontribuon në zhvilliminn e normave dhe të ndjenjave estetike, zhvillon shprehitë për punë dhe shprehitë higjienike – shëndetësore etj.
Nga kjo del përfundimi se rruga, si vend komunikacioni, luan një rol të rëndësishëm në formimin dhe edukimin e fëmijës. Prandaj shtrohet detyra që fëmijët të përgatiten për shfrytëzimin e saj të drejtë, sepse është e pamundur izolimi i fëmijëve nga rruga. Do të gabonim sikur të bënim izolimin e fëmijëve prej rrugës. Rrugën nuk duhet kuptuar si vend prej të cilit buron vetëm e keqëja apo siç mendohet se rruga është “xhungëll në asfalt”.
Ndikimi i rrugës në formimin e jetës së fëmijës nuk mund të jetë vetëm i zi, por, përkundrazi, për dukurinë dhe ngjarjet e shumta që ndodhin në të, atë duhet kuptuar si vend ku fëmijët e kalojnë një pjesë të jetës së tyre, ku takohen me të mirën dhe me të keqen, ku gërshetohet e bukura dhe e shëmtuara. Kjo do të thotë se rruga mundëson kushte të shumta për lojën e fëmijës. Aty fëmija e gjen shokun apo shoqen, angazhohet në mënyrë krijuese, gjen kënaqësinë personale në atë kolektive, në grup, harmonizon intereset, hidhërohet dhe pajtohet me rrethin e shokëve e të shoqeve etj.
Shoqëria jonë demokratike ka arsye të plotë që rrugën mos ta shikojë si “xhungëll në asfallt”. Në atë nuk lëvizin vetëm hipikë, huliganë, delikuentë. Ajo nuk është vetëm vend për qarkullimin e njerëzve. Rruga është edhe fushë, stadion, park ku mbahen mitingje, tribuna, koncerte, është pjesë e jetës me një ambient të veçantë shoqëror dhe ka sharmin specifik.
Prandaj ka shumë arsye që rruga të konsiderohet një faktor edukativ në edukimin e fëmijës. Ajo ka një rëndësi të caktuar në jetën e fëmijës dhe në zhvillimin e tij. Edhe pse të paorganizuar dhe të paplanifikuara, ndikimet edukative të rrugës kanë një organizim të brendshëm, por spontan, me kohezion të caktuar dhe të udhëhequr nga të gjithë fëmijët. Ky unitet socio-psikologjik ka rëndësi dhe ndikim të madh edukativ.
Është me interes të flitet edhe për problemet se si funksionon socializimi, për rolin e rrugës në të mësuarit social, për interaksionet në kolektivin e fëmijës, për rolin e fëmijës në kolektiv etj.
3.Përfundim
Mendoj se është e arsyeshme që rrugën ta konsiderojmë si një faktor edukativ të fëmijësë, edhe pse ndikimet e saj janë edhe negative. Ajo krijon mundësi që fëmijët të gjejnë identifikime negative, të bien në kontakt me fëmijë me sjellje asociale dhe me forma të sjelljeve të papranuara për shoqërinë tonë. Por, sidoqoftë, fëmijët nuk mund t’i izolojmë prej ndikimeve të rrugës, nuk mund t’i largojmë nga jeta e bujshme që zhvillohet në të, e cila lë vulë në sjelljen e fëmijës, në shprehitë e tij. Në këtë kontekst mendoj se është e arsyehme që rrugën ta trajtojmë si faktor edukativ duke e diferencuar qartë nga mundësitë dhe kufijtë e ndikimit edukativ intencional dhe funksional te fëmijët.

`