Kristaps Porzingis i grumbulloi 26 pikë dhe 12 kërcime, përderisa mysafiri Dallas Mavericks i dha fund ecurisë së Milwaukee Bucks prej 18 fitoreve radhazi, duke i mposhtur vendasit me rezultat 120:116, të hënën në NBA.
Seth Curry i shënoi 26 pikë, me nëntë tentime të sakta nga gjithsej 15 nga fusha, për Mavericksast, të cilët i mbijetuan 48 pikëve dhe 14 kërcimeve të Giannis Antetokounmpos për ta marrë fitoren e 12-të në 15 ndeshje, transmeton Gazeta Express.
Dallasi ishte në këtë ndeshje pa më të mirin e skuadrës, Luka Doncicin, i cili e pësoi një lëndim të lehtë në kyçin e këmbës, gjatë çerekut të parë të humbjes ndaj Miami Heat të shtunën.
Kyle Korver i shënoi pesë trepikësha dhe kontribuoi me 17 pikë te Bucks, të cilët s’arritën ta thyejnë rekordin e klubit për fitore radhazi vetëm edhe për dy ndeshje. Kjo ishte disfata e parë e Milwaukeet që nga 8 nëntori.
Oklahoma City Thunder 109 – Chicago Bulls 106
Chris Paul i shënoi 30 pikë për t’ia dhënë Oklahoma Cityt një fitore me përmbysje rezultati kundër Chicagos. Thunder kishte qenë duke humbur për 26 pikë, mirëpo u kthye fuqishëm në lojë dhe arriti ta fitojë atë.
Houston Rockets 109 – San Antonio Spurs 107
Russell Westbrook i shënoi 25 nga 31 pikët e tij në pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa James Harden e mbylli ndeshjet me 28 pikë, përderisa Houston e mposhti mysafirin San Antonio.
Rezultatet e tjera:
Toronto Raptors 133 – Cleveland Cavaliers 113
Washington Wizards 133 – Detroit Pistons 119
Memphis Grizzlies 118 – Miami Heat 111
Portland Trail Blazers 111 – Phoenix Suns 110