Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Pljevljës, në Mal të Zi, është caktuar për 21 korrik, ku këshilltarët do të shqyrtojnë një propozim-deklaratë që kërkon anulimin e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Nismën për mbajtjen e seancës e kanë paraqitur këshilltarët e koalicionit “Për të ardhmen e Pljevljës”, pjesë e të cilit janë Partia Popullore Demokratike (DNP) dhe Demokracia e Re Serbe (NSD). Sipas të dhënave të publikuara, iniciativën deri tani e kanë mbështetur 19 këshilltarë të parlamentit lokal.
Në propozimin e deklaratës thuhet se, nëse miratohet, Kuvendi Komunal i Pljevljës do të shprehë qëndrimin se nuk e pranon vendimin e Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008 për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, shkruan rtcg.me.




