Edhe një ditë e rëndë për Strugën

Në Strugë janë regjistruar edhe 3 raste të reja me të infektuar nga virusi Covid-19, ndërsa një person ndërroi jetë. Bëhet fjalë për një burrë 63 vjeçar, i cili më datën 5 prill është dërguar në gjendje të rëndë në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ndërsa testi i është bërë pasi ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, nga komuna e Strugës lajmërojnë se vazhdojnë larjet dhe dezinfektimet e rrugëve dhe institucioneve lokale, si dhe ka vazhduar shpërndarja e pakove ushqimore për familjet në nevojë.

Duke qenë se qytetarët do të jenë në izolim 24 orësh në fundjavë, Struga sot ishte sikurse ditët e zakonshme të verës. U vërejtën turma njerëzish nëpër qytet, sidomos në tregun e gjelbër dhe në markete, duke mos u respektuar as distanca sociale. Ndërsa me fillimin e orës policore, qyteti ra në heshtje.

Nga Shtabi i Krizës së komunës së Strugës lajmërojnë se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, do të organizojnë lëvizje të vullnetarëve që do të dërgojnë produktet e nevojshme deri në shtëpitë e qytetarëve. Ata kanë bërë thirrje që qytetarët të mos shqetësohen dhe të mos bëjnë panik, por të respektojnë maksimalisht rekomandimet e dhëna, që sa më shpejtë ta kalojmë këtë situatë.