E shau shërbimin e Kuvendit, fati i Talat Xhaferit vendoset javën tjetër

Javën e ardhshme pritet të mblidhet Komisioni i Çështjeve të Rregullores për të shqyrtuar regjistrimin me fjalorin vulgar të kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi dhe për të konstatuar shkeljen e mundshme të Kodit të Etikës, shkruan Alsat.

Kryetari i këtij komisioni, deputeti Panço Minov, tha për Alsat se kërkesa me shkrim e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e seancës, si dhe provat e bashkangjitura janë në procedurë parlamentare dhe seancën do ta caktojë sa më shpejt.

Pikërisht për shkak të paralajmërimit për një seancë të tillë, nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski tha se nuk do ta komentojë regjistrimin në të cilin dëgjohet zëri i Xhaferit. Misovski tha se rasti ishte një përballje politike, duke mos kursyer fjalët lavdëruese për njeriun e parë të ligjvënësit.

“Talat Xhaferi është një nga kryetarët më të mirë që ka pasur ky Kuvend që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Unë e di se ai gjithmonë ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me nëpunësit”, tha Goran Misovski – Nënkryetar i Kuvendit.

Xhaferi është rikthyer sot në vend, pas një vizite pune në Gjermani, dhe që nga regjistrimi, ende nuk ka dalë para mediave. As ai dhe as kabineti i tij nuk kanë komentuar mbi regjistrimin apo vërtetësinë e regjistrimit.

“Kryetari Xhaferi tani po bën të ditur se javën e ardhshme do të ketë konferencë për media, prandaj mos ngurroni ta pyesni atë që ju intereson”, u shpreh Goran Misovski – Nënkryetar i Kuvendit.

VMRO-DPMNE paraprakisht deklaroi se Xhaferi ka bërë shkelje të rëndë të Kodit të Etikës, duke fyer dhe kërcënuar punonjësit e shërbimeve parlamentare. Partia thotë se katër deputetë të tyre kanë qenë dëshmitarë të incidentit. Nga LSDM kanë thënë se nuk kanë koment derisa të përcaktohet vërtetësia e regjistrimit. Me një përgjigje të ngjashme ka dalë edhe BDI. Zyrtari i partisë Visar Ganiu tha se do të presë koment që të dëgjohet edhe pala tjetër. Nëse Komisioni Parlamentar konstaton se Xhaferi ka shkelur Kodin e Etikës, ai mund të përballet me vërejtje publike, pezullim nga pjesëmarrja në një trup punues ose ndalim prej një muaji nga kryesimi i trupit punues./Alsat.mk