E rëndë: Vritet me armë zjarri zyrtari i Komunës së Prishtinës

Në mbrëmjen e së mërkurës, është gjetur i vrarë një zyrtar i Komunës së Prishtinës, respektivisht inspektori ndër më të vjetrit të pyllit të Komunës së Prishtinës, shkruan “Bota sot”.

Njoftimin e ka dhënë vetë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në Facebook.

Siç tha ai, trupi i pajetë është gjetur në afërsi të liqenit të Badovcit.

Postimi plotë:

Lajm i rëndë!

Mbrëmë Drejtoria e Inspekcionit është lajmëruar se është gjetur vetura e braktisur/hapur e njërit prej inspektorëve më të vjetër të pyllit të Komunës së Prishtinës N. Rr. në afërsi të Badovcit.

Fatkeqësisht, pas arritjes së policisë është gjetur edhe trupi i pajetë i të ndjerit, i vrarë me armë zjarri, në zonën që e ruante si roje pylli.

Image

Trupi është përcjellë në Mjekësinë Ligjore ndërsa policia po zhvillon hetimet rreth rastit.

Familjes i shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe si Komunë do të ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira. Nga Policia kërkojmë që sa më parë të zbardhet rasti dhe kryesit e veprës të sillen para drejtësisë .