Vetëvendosje e pranon Vjosa Osmanin si kandidate për presidente

Kur kanë mbetur më pak se dy ditë nga seanca konstituive, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se për partinë e tij Vjosa Osmani do të ishte e pranueshme për postin e presidentit të Kosovës.

“Mendoj që përderisa jemi në opsionin A dhe ky opsion është presidenti jashtë bisedave, unë mendoj se është kot të flasim për emra. Nëse shkojmë në opsionin B të zgjidhjes dhe hyn edhe presidenti atëherë Lëvizja Vetëvendosje mendoj se nuk ka kurrfarë problemi me emrin e Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës në kuptimin e asaj çka ajo besoj se do të performonte”, tha ai në një debat në Televizionin Dukagjini.Konjufca madje dha edhe sqarimin për atë që tha deri sa përmendi edhe se cilat janë detyrat e një presidenti.“Prej presidentit pritet përfaqësimi i unitetit të popullit. Një ekspert juridik një profesor i fakultetit që është marrë në fushën e kushtetutës kish pas me thanë që problemi është se ajo vjen nga një parti politike mirëpo, presidenti i ka dy anë, është e rëndësishme prej nga vjen aj por është e rëndësishme që kur e qon dorën dhe e jep veprime me hy në këto standarde kushtetuese dhe me vepru sipas kompetencave që i përshkruan kushtetuta, kështu që nëse unë tash nëse fantazoj dhe ju më kërkoni që të fantasoj dhe vi në përfundim që Vjosa Osmani si një personalitet i skenës sonë politike e cila ishte edhe kandidate për kryeministre vjen në këtë pozitë dhe e bën betimin a do të i performonte këto kompetenca kushtetuese me nder, unë do të thoja po në kuptimin që, unë nuk e di saktë por krejt në fund të fundit në politikë është besimi, unë mund të besoj se po dhe ajo nuk do të i bënte keq Kosovës”, shtoi Konjufca.Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk kanë arritur ende të kenë një marrëveshje qeverisëse.Në marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm të qeverisë në mes të LVV-së dhe LDK-së pritet të përfshihet edhe çështja e presidentit të ardhshëm i cili zgjidhet në pranverën e vitit 2021.LDK kishte preferuar që para se të bëhej koalicioni mes tyre të merrej vesh edhe për çështjen e presidentit.