E konfirmon trajneri i Maqedonisë: Kërkohet shtyrja e ndeshjes kundër Kosovës

Trajneri i ekipit kombëtar të Maqedonisë, Igor Angelovski, ka konfirmuar se Federata e Futbollit e Maqedonisë ka kërkuar që ndeshja kundër Kosovës të shtyhet ose anulohet, pasi që, ndër të tjerash, të dyja ekipeve do t’i mungonin disa lojtarë shkaku i rregullave për koronavirus.

Të martën u mor vendimi që gjysmëfinalja e play-offs për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të zhvillohet pa tifozë të pranishëm në “Todor Proeski”.

Ndërkohë, dje u raportua se Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut do ta kërkojë nga UEFA shtyrjen e ndeshjes, në mënyrë që të mos e humbë epërsinë që e kishte si vendas me shpresën se do të kishte përkrahje të fuqishme nga tifozët në Shkup.

Kjo shtyrje kërkohet për shkak se futbollistët maqedonas si Pandev, Elmas dhe Nestorovski (luajnë në Itali) pas ardhjes në Shkup duhet të qëndrojnë dy javë në karantinë dhe pa stërvitje do ta prisnin ndeshjen me Kosovën.

Në Itali luajnë edhe futbollistët e Kosovës si Amir Rrahmani e Samir Ujkani. Trajneri i Maqedonisë e ka përmendur këtë si fakt se pse asnjërës Kombëtare nuk do t’i konvenonte që ndeshja të zhvillohet më 26 mars.

“Do të jetë një ndeshje historike ndaj Kosovës. Qeveria ka marrë masa dhe ka vendosur që të luhet me dyer të mbyllura për shkak të emergjencës së koronavirus”, ka thënë Angelovski.

“Por nuk është vetëm kaq, ka një urdhër nga qeveria që detyron 14 ditë karantinë për ata që arrijnë nga Italia dhe kjo vlen edhe për lojtarët. Sigurisht, nuk mund t’i imponojmë Elmas, Pandev e Nestervoski të qëndrojnë në izolim për 14 ditë për të luajtur këtë ndeshje, ndaj nuk do të mund të luanin”.

“Me Federatën kemi kërkuar ta shtyjmë ose të anulohet sfida. Që kur u vendos pa tifozë nuk ka kuptim, çfarë kuptimi ka të luash edhe pa lojtarë? Përtej kësaj, edhe Kosova nuk është se favorizohet. Rrahmani, kapiteni i saj, nuk do të mund të luante në të njëjtën mënyrë”.

“Futbolli në këto kushte humb kuptimin e tij, do të duhet të luhej vetëm nëse je në kushtet më të mirë për ta bërë një gjë të tillë dhe nëse ke siguri”.