Dyshimet për manipulim me vota, dy të arrestuarit dalin sot para gjykatës

Dy të dyshuarit që u ndaluan të martën nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve dhe marrje ryshfeti sot pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo seancë pritet të mbahet në orën 09:30, ndërsa gjyqtari që do të vendosë për kërkesën e prokurorisë është Valon Kurtaj.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj A.K dhe S.M, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve”, nga neni 211 dhe

“Dhënia apo marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 të KPRK-së.

A.K. dhe S.M. janë dy komisionerët që janë arrestuar për manipulim të votave në Qendrën e Rinumërimit dhe Rezultateve.

Ditë më parë u publikua video incizimi ku paraqiten manipulimet me vota, pjesë e të cilit dyshohet të jetë Dardan Stublla, bashkëshorti i ish-kryediplomates kosovare dhe kandidates për deputete nga AAK, Meliza Haradinaj Stublla.

Pas këtyre raportimeve, të martën Haradinaj Stublla dha dorëheqje nga pozita e ministres së Jashtme dhe Diasporës dhe nga të gjitha pozitat në AAK.

Pakënaqësi kanë shprehur edhe shumë kandidatë të tjerë për deputet nga subjektet politike, ku shumë prej tyre kanë kërkuar rinumërim total të votave.