Dy vjet nga Marrëveshja e Prespës, mbeten dallimet për emrin Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut shënon dyvjetorin e Marrëveshjes me Prespës, me të cilën ajo dhe Greqia zgjidhën kontestin 27-vjeçar për emrin, gjë që i mundësoi Shkupit anëtarësimin në NATO dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Marrëveshja u arrit më 17 qershor të vitit 2018, pas negociatave të gjata me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, që rezultoi me ndërrimin e emrit të shtetit nga Republika e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut.

Marrëveshja e cila u nënshkrua nga kryeministrat e atëhershëm, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, u përcoll me tensione e kritika të shumta brenda vendit, të cilat vazhdojnë edhe dy vjet pas nënshkrimit të saj.
Zoran Zaev, tani kryetar i Lidhjes Social Demokrate në pushtet, thotë se kjo marrëveshje i ka hapur perspektivën Maqedonisë së Veriut me anëtarësimin e saj NATO, duke e bërë vend të sigurt dhe prosperues.

“NATO-ja është aleanca më e fuqishme ushtarake dhe e sigurisë, por edhe simbol dhe sinonim i vlerave më të larta demokratike dhe ne tanimë jemi pjesë e kësaj familjeje të fuqishme. Maqedonia e Veriut me arritjen e marrëveshjes me Greqinë dhe me zhbllokimin e procesit euroatlantik, bëhet faktor i stabilitetit në rajon në të cilën qytetarët, të rinjtë dhe fëmijët kanë të ardhme të sigurt. Ne, shumë shpejt presin të shënojnë edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

VMRO DPMNE-ja, parti opozitare, nuk e pranon marrëveshjen edhe dy vjet pas nënshkrimi të saj, ndërsa ka vazhduar me akuzën në adresë të LSDM-së për siç thotë, rrënimin e identitetit të maqedonasve, të gjuhës dhe gjithçka që ka të bëjnë me kulturës dhe trashëgiminë e këtij populli.

Përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, deklaroi se emri i shtetit do të mbetet Maqedoni, për të cilin, siç tha, janë flijuar gjenerata të tëra të kombit maqedonas.
“Sfida e tashme që ne si gjeneratë do të përballemi është sesi ta fitojmë politikisht këtë gjeneratë të LSDM-së dhe Zoran Zaevit. Ata janë antipod të asaj që do të thotë Maqedoni, për të cilën mijëra njerëz kanë dhënë jetën e tyre. Ne, duhet t’i japim fund disfatave dhe nënçmimeve që ata i kanë krijuar. Maqedonia ka qenë dhe do të mbetet dhe ne do të jemi ata që këtë shtet do ta mbajmë në këmbë dhe bashkërisht me popullin do të ecim përpara drejt përparimit dhe Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Mickovski.

Partitë shqiptare në përgjithësi kanë mbështetur marrëveshjen me Greqinë. Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se tani është koha që të gjitha partitë të bashkohen në një platformë të vetme për çuarjen para të procesit të integrimit evropian.

“Ky konsensus partiak fillimisht duhet të na mundësojë të krijojmë bazë për ndërtimin e konsensusit të përgjithshëm shoqëror për integrime evropiane, pavarësisht se këto parime kanë qenë të konfirmuara edhe më herët. Tani nuk është koha e përpjekjeve deklarative, por është koha e shndërrimit tyre në politika reale. Procesi i integrimit për asnjë moment nuk ka ndaluar, ndërsa fillimi i negociatave objektivisht pritet shumë shpejt”, ka deklaruar Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për çështje evropiane, që vjen nga BDI.

Marrëveshja me Greqinë pritet të dominojë edhe fushatën elektorale të partive për zgjedhjet e 15 korrikut, dhe që tani kanë nisur përplasjet mes tyre se kush është më meritori për arritjen e saj. BDI-ja në disa paraqitje ka thënë se pa angazhimin e saj, ky kontest nuk do të zgjidhjes, por nga LSDM-ja e kanë pyetur BDI-në se pse këtë problem nuk e kishte zgjidhur gjatë qeverisjes dhjetëvjeçare me VMRO-DPMNE-në.