Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka iniciuar procedurë kundër dy personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale pasi që tentuan t’i vënë flakën një kazinoje, ku kishin humbur paratë.
Sipas policisë, më 18 mars, në një kazino në rrugën “Ilindenska” në Tetovë, dy të dyshuarit kanë filluar të luajnë në automat. Pasi kanë humbur një shumë të madhe parash, fillimisht kanë nisur një debat verbal me anëtarët e agjencisë së sigurimit të objektit, ndërsa më pas me karrige dhe sende të tjera kanë filluar të thyejnë pajisjet dhe inventarin në kazino. Sigurimi kishte raportuar në polici, ndaj në vendngjarje kanë mbërritur dy efektivë të policisë, përcjell INA.
“Të dyshuarit janë kthyer në objekt me shishe plastike me benzinë. Oficerët e policisë i kanë paralajmëruar të mos hyjnë në godinë, por ata nuk iu bindën urdhrit. Përkundrazi, ata i drejtuan policisë fjalë fyese dhe i kërcënuan se do t’i digjnin. Duke i shtyrë punonjësit e policisë, të dyshuarit kanë nisur të derdhin benzinë në tapet, sende, por edhe mbi policët dhe pjesëtarët e sigurimit të pranishëm. Ata i kanë vënë flakën pikës së benzinës me çakmakë, më pas ka rënë zjarr brenda kazinosë dhe nga zjarri është përfshirë edhe një pjesë e uniformës së njërit prej policëve. Menjëherë më pas të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thekson raporti policor.
Autoritetet gjyqësore kanë caktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit në kohëzgjatje prej 8 ditësh. Për njërin të dyshuar masa është tashmë në fuqi, ndërsa për tjetrin do të fillojë të zbatohet pasi të gjendet dhe të hiqet liria. (INA)