Kundër një shtetasi nga Gjermania dhe një tjetri nga Italia, të dy me prejardhje nga Republika e Ganës, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit deri te Gjykata Themelore Penale – Shkup, ngriti aktakuzë se kishin kryer vepër penale Kontrabandim të emigrantëve. Në kumtesën e Prokurorisë Publike, thuhet se ata bashkë, sipas një marrëveshjeje paraprake kishin transportuar emigrantë përmes kufirit tonë shtetëror.
“Më 5 janar të këtij viti, të akuzuarit me qëllim që ilegalisht të transportojnë tre emigrantë ishin nisur me automjetin me targa gjermane në Greqi. Për kalim të papenguar, për emigrantët kishin siguruar dokumente publike – letërnjoftime nga Bashkimi Evropian dhe ua kishin dhënë në dorë. Në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” gjatë kontrollit nga ana e një nëpunësi të policisë emigrantët ishin identifikuar me letërnjoftim holandez, suedez dhe gjerman. Tre emigrantët të cilët gjithashtu vijnë nga Gana, kishin paguar gjithsej 500 euro për shpenzime të rrugës, ndërsa sipas marrëveshjes pjesën tjetër prej nga 1.000 euro për një person duhej ta paguanin pasi të arrinin në destinacionin e fundit – Austri”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.
Përveç aktakuzës, deri te Gjykata kundër të akuzuarve është dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për dy të akuzuarit.