Dy lloje të injorantëve

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Shoqërisë shqiptare fatkeqësisht i mungon ndjenja e përgjegjësisë. Kjo mungesë çoi drejt zbehjes së vlerave morale, kurse pa këto të fundit nuk mund të fitohet asnjë betejë. A është pikërisht kjo që shqiptarët i bën të ndjehen shpesh si humbës, apo as këtë nuk mund ta perceptojnë për shkak të ngurtësisë së brendshme shpirtërore.

Kjo ngurtësi prodhon vetëm egoizëm, ftohje në raport me të tjerët, injorantë, individë pa parime e të ngjashëm.

Një konglomerat i këtillë shoqërinë shqiptare e bën shoqëri pa gjak. Krimbi i këtyre dukurive e ka brejtur arsimin, kulturën, mbase edhe politikën. Injoranca më e dukshme vërehet sidomos në sistemin e arsimit, ndonëse këtë askush nuk dëshiron ta pranojë, edhe përkundër faktit se atë në çdo kohë e dëshmon realiteti.
Michel Eyquem de Montaigne ka arritur deri te një konstatim brilant: “kemi dy lloje injorantësh”, ka thënë ai – “njëri e ka rrjedhjen nga analfabetizmi dhe tjetri nga njerëzit me doktoraturë”.

Çarjet në arsim në çdo nivel janë evidente, kurse kjo kalon nëpër një heshtje të çuditshme. Dhe askush nuk shqetësohet për këtë verigë të rëndësishme për të pasur një shoqëri të shëndoshë, të aftë dhe kreativë. Kjo ka bëri që gjeneratat e reja të jenë gjenerata të hutuar, pa vizion dhe ideal.

Shtërzimet politike, ekonomike dhe sociale imponuan nevojën e kërkimit të alternativave të reja, të cilat, fatkeqësisht, për shkak të shqiptarëve në pushtet, fare nuk mund të vijnë në shprehje. Të vet-pëlqyerit që janë të shumtë, vazhdimisht tentojnë të imponojnë të vërtetat e tyre, përmes të cilave insistojnë që të mbeten në sipërfaqe, gjithnjë duke u fshehur prapa vlerave familjare, morale, intelektuale, kombëtare dhe mbi të gjitha prapa vlerave politike. Krahas politikës së hapur, që ishte e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë e paqësore, shqiptarët patën rastin ta njohin edhe politikën grabitqare, politikën e grushtit të hekurt, politikën e kulaçit e kërbaçit, politikën e kërcënimit e shtrëngimit.

Shqiptarët i provuan të gjitha këto politika…